Gazetar: Avni Tahiri

Shalqiri i importuar nga vendet fqinje ka dëmtuar tregun vendor. Thonë kultivuesit vendas të cilët shtojnë se produkti i importuar ofrohet në treg me çmime më të ulëta, ndërsa cilësia e tij nuk mund të krahasohet me atë të prodhimit vendor.

”Duhet të ndalet importimi që ne të mund ta shesim prodhimin tonë dhe të mos kemi konkurrence nga prodhimet e huaja, qofte nga Shqipëria, Turqia, Serbia pasi na bëjnë konkurrencë. Jo vetëm me shalqirin por edhe me pataten, qepen na bëjnë shumë dëm,” tha Faredin Murati, bujk.

Kriza për punëtorë sezonal ka vështirësuar edhe më shumë sektorin e bujqësisë, thotë Faredin Murati, i cili shton se nuk gjenden punëtorë as me 50 euro mëditje ditore.

”Prodhimi ynë me shumicë shkon 15 denarë por ai që vjen nga jashtë është 6 apo 7 denarë dhe për këtë arsye ne jemi dobët me shitje këtë vit. Kishim dëme nga breshëri dhe shiu por përveç kësaj nuk ka as punëtorë nën 50 euro në ditë. Pra, dy punëtorë të duhen 100 euro në ditë,” tha Faredin Murati, bujk.

E për të dal në shitje prodhimi final, Faredin Murati thotë se duhet angazhim dhe investim por pa garanci se produkti do të shitet dhe se investimi do të kthehet.

”Nga muaji shkurt fillojmë me shpenzimet, duhet të blihen plehrat, najloni, punëtorët ke më së paku 10 mijë euro për 1 hektarë, dhe është pikëpyetje sa e kthejmë investimin apo jo pasi na shkon dy muaj duke e shitur nga pak e nëse nuk shitet shpejtë edhe prishët, pasi të këputjet duron vetëm 5-6 ditë,” tha Faredin Murati, bujk.

Çmimi i shalqirit vendor këtë vit shkon 25 denarë për kilogram ndërsa ai i importuari nga shtetet tjera është shumë më i lirë. Kultivuesit më të mëdhenj të shalqirit në rrethinë të Shkupit janë bujqit e fshatit Luboten. /Alsat.mk

The post Shalqiri i importuar ul çmimin, fermerët vendorë kërkojnë mbrojtje nga konkurrenca appeared first on Alsat.