Përfaqësuesi tregtar amerikan, Jamieson Greer, deklaroi mbrëmë se administrata e presidentit Donald Trump po planifikon vendosjen e tarifave të reja për partnerët e marrëveshjes së tregtisë së lirë mes SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë (USMCA).

Greer theksoi se Uashingtoni ka çështje serioze të pazgjidhura në marrëdhëniet tregtare me Kanadanë dhe se vendosja e tarifave është e domosdoshme për shkak të deficitit të madh tregtar.

“Do të duhet të vendosim tarifa për aq kohë sa kemi këtë deficit të madh tregtar”, deklaroi ai në një forum, duke shtuar se SHBA-ja gjatë periudhës së fundit ka biseduar me disa vende lidhur me nevojën për masa të caktuara tarifore.

Marrëveshja USMCA zëvendësoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) nga viti 1994. Kanadaja ishte vendi i fundit që ratifikoi marrëveshjen e re në mars të vitit 2020.