Një javë para skadimit të aksionit për uljen e çmimeve, të ashtuquajtur “Shporta e Vitit të Ri”, ku qytetarët reaguan se pjesa më e madhe e produkteve janë shtrenjtuar, kryeministri Mickoski mbetet në qëndrimin se në pjesën e dytë të dhjetorit, që do të thotë pas vendosjes së masës, çmimet janë stabilizuar. Ai tha se tani për tani vetëm po e ndjekin gjendjen e çmimeve në markete.
“Me vëmendje përmes ISHT-së po e ndjekim gjendjen dhe do të intervenojmë nëse është e nevojshme. Mund të intervenohet menjëherë me kufizimin e çmimeve, por dëshirojmë që të mos e zbatojmë atë instrument dhe andaj në bazë ditore investojmë më shumë energji që të ndjekim gjendjen në marketet tregtare dhe kështu do të vazhdojmë edhe këtë vit”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Edhe pse kishte reagime se çmimet për një pjesë të madhe të produkteve janë rritur, për çka Mickoski paralajmëroi se do të ketë kontrolle, në raportin e fundit të Inspektoratit të Tregut të publikuar para Vitit të Ri, thuhet se nuk janë zbuluar shkelje.
“Në muajin nëntor ka pasur rritje të çmimeve të produkteve themelore ushqimore, por me fillimin e aksionit “Shporta e Vitit të Ri” është arritur stabilizim dhe ulja e tyre. Tregtarët me pakicë (marketet) në përgjithësi respektojnë aksionin për uljen e produkteve themelore ushqimore, ndërsa janë konstatuar vërejtje të vogla në raport me shënimin e çmimeve dhe vetë çmimet”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Nga opozitarja LSDM mbeten në qëndrimi se e gjithë masa është manipulim i pastër me qytetarët dhe se edhe pse ka pasur mundësi deri më tani të zbatohen kontrolle të çmimeve, kjo nuk është bërë.
“Derisa shohim se ka kontrolle dhe inspeksione, për shkak se pushteti deri më tani kishte kohë që ta bënte këtë, institucionet kompetente sigurisht nën pushtetin kishin mundësi që ta bëjnë këtë. Shumë herë kemi dalë në konferencë për media, më shumë herë e kemi informuar opinionin dhe kemi reaguar për një manipulim klasik me shportë e fundit që e vendosi pushteti. Së pari lejuan që tregtarët të rritin çmimet e më pas e sollën dhe i ngrinë çmimet pasi që ato ishin më të rritura”, potencoi Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Shporta e Vitit të Ri hyri në fuqi më 15 dhjetor, ndërsa do të zgjasë deri më 15 janar, përkatësisht edhe një javë. Me të u parapa që çmimet e rreth një mijë produkteve të ulen për 10%.

