Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Në kuadër të vizitës, Kos do të zhvillojë takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, dhe do të marrë pjesë edhe në takimin e liderëve BE – Ballkani Perëndimor që po mbahet në Shkup. Tema qendrore e takimeve do të jetë Plani për Rritje i Ballkanit Perëndimor, i cili synon të nxisë integrimin ekonomik dhe afrimin më të shpejtë të rajonit me Bashkimin Evropian.
Për pasditen e sotme është planifikuar një takim tet-a-tet mes komisioneres evropiane dhe kryeministrit, pas së cilës do të pasojë edhe një takim i zgjeruar bilateral me delegacionet.
Në takimin e liderëve do të marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe ministra, përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian, organizata rajonale dhe institucione ndërkombëtare.
Pjesa e nesërme (1 korrik) e programit parasheh dy panele. Paneli i parë do të fokusohet në prezantimin dhe diskutimin e Planit për Rritje, ku do të mbajnë fjalime kryeministri Mickoski dhe komisionerja evropiane Kos. Pas përfundimit të panelit, do të mbahet një konferencë e përbashkët për media. Paneli i dytë do të fokusohet në mekanizmat praktikë dhe llojet e mbështetjes që nevojiten për zbatimin e suksesshëm të Planit për Rritje.
Vizita e Kos është paralajmëruar nga Komisioni Evropian, i cili theksoi se qëllimi është thellimi i bashkëpunimit dhe përparimi i procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Në takim në Shkup do të marrin pjesë edhe liderët e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe Kosovës.
Ndërkaq, për shkak të mbajtjes së takimit të liderëve, në zonën qendrore të Shkupit është vendosur një regjim i veçantë i trafikut. Ministria e Punëve të Brendshme apelon tek qytetarët që të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë udhëzimet dhe urdhrat e policisë.
