Keir Starmer ka bërë të qartë se synon ta udhëheqë Partinë Laburiste edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht presionit në rritje brenda partisë së tij. Në një intervistë për “Mirror”, kryeministri britanik tha se po vazhdon një “projekt 10-vjeçar rinovimi”, i fokusuar në përballjen me krizën e kostos së jetesës dhe ndërtimin e një ekonomie më të fortë për qytetarët.
Starmer paralajmëroi gjithashtu një afrim më të madh të Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian, duke theksuar se të rinjtë duhet të kenë më shumë mundësi për të punuar, studiuar dhe udhëtuar në vendet evropiane. Ai pritet që të hënën të mbajë një fjalim të rëndësishëm mbi marrëdhëniet me BE-në.
Ndërkohë, situata brenda Laburistëve mbetet e tensionuar. Deputetja Catherine West i ka vendosur ultimatum kabinetit që deri të hënën të ndërmarrë hapa ndaj lidershipit të Starmer, përndryshe ajo paralajmëroi nisjen e një gare për kreun e partisë. Sipas saj, deri më tani ka siguruar mbështetjen e 10 deputetëve dhe synon të mbledhë 81 nënshkrimet e nevojshme për të sfiduar Starmerin.
