Gazetare: Ajnur Bafqari
Dogana pengoi një tentim për kontrabandim të gjysmë milioni euro, në pikën kufitare Tabanoc. Bëhet fjalë për para të gjetura gjatë një kontrolli të minibusit në pronësi të një agjencie turistike nga Shqipëria, me të cilin transportoheshin shtatë udhëtarë. Sipas autoriteteve, doganierët vunë re modifikime në automjet, pas të cilave u dërgua një qen doganor, i cili sinjalizoi mundësinë e kontrabandës pikërisht në vendin e dyshimtë. Dyshimet u konfirmuan më tej pas skanimit të automjetit nga Shërbimi i Skanimit Mobil. Pas çmontimit të një pjese të strukturës, inspektorët zbuluan 500,000 euro në para të gatshme, të fshehura në një ndarje të veçantë në automjet.
“Paratë u gjetën në një bunker të ndërtuar posaçërisht në një minibus, të paketuara në 14 qese transparente”- deklaroi Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski.
Sipas tij, ky është sekuestrimi më i madh i valutës së huaj në historinë e Doganave të vendit.
“Paratë dhe automjeti janë konfiskuar përgjithmonë, dhe një vendim gjyqësor tashmë është lëshuar nga Gjykata Themelore në Kumanovë kundër shoferit, një shtetas shqiptar me iniciale Xh.G., i cili po drejtonte minibusin”- nënvizoi Nikollovski.
Sipas procedurave ligjore, valutat e konfiskuara menjëherë i janë dorëzuar Agjencisë për menaxhimin me pronat e konfiskuara dhe më pas janë depozituar te Banka Popullore. /Alsat.mk
The post Tabanovc, Doganierët zbuluan gjysmë milioni euro në një minibus appeared first on Alsat.
