Të premten dhe të shtunën partnerët e koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM kanë caktuar takimet për të folur për rikonstrumin e qeverisë. Këtë e konfirmoi kryeministri Hristijan Mickoski, i cili, i pyetur për vazhdimin e bashkëpunimit me VLEN-in, shprehu fjalë miradije.

“Kemi bashkëpunim korrekt dhe miqësor me partnerin tonë koalicionues VLEN dhe pres që kështu edhe të vazhdojmë. E dini se pas realizimit të bashkëpunimit tonë, pas zgjedhjeve të vitit 2024, vijuan zgjedhjet lokale, ku ata ishin bindshëm fitimtarë në 10 komuna, në kushtimisht thënë, pjesën shqiptare të Maqedonisë, andaj nuk shoh pengesë në këtë moment që bashkëpunimi ynë të mos vazhdojë”, tha Micksoki.

E këtë takim po e presin edhe krerët e VLEN-it, pasi dje, kur Bilall Kasami u pyet për rikonstruimin, nuk dha ndonjë detaj, sepse paraprakisht dëshirojnë të shohin vizionin e Mickoskit, ndonëse VLEN ka një koncept për rikonstruimin e kabinetit.

“Jo nuk mund të flasim para se të takohemi me kryeministrin. Sigurisht që ne kemi konceptin tonë se si do të ulemi për të biseduar për riformatimin e qeverisë, do të duhet të shohim edhe vizionin e kryeministrit dhe sigurisht pas asaj mund të dalim me qëndrim se a do të ketë vetëm ndërrim vetëm të pozicioneve brenda VLEN-it apo do të ketë edhe ndonjë rokadë të ministrive”, tha Kasami

I pyetur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Kasami tha se për momentin janë të fokusuar në realizimin e programit qeverisës, duke shtuar se Maqedonia nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme, megjithatë, shtoi ai, VLEN ka potencë politike që të dalë fituese e zgjedhjeve nëse ato mbahen që nesër.

Përndryshe, kreu i opozitares BDI Ali Ahmeti ditë më parë vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen në pranverë dhe bëri thirrje për mobilizim dhe organizim të plotë të strukturave partiake. I pyetur për të parakohshmet, kryeministri Mickoski ka shprehur qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen të rregullta, në vitin 2028.