Irani vazhdon të mbetet pothuajse plotësisht i izoluar nga interneti global, ndërsa kufizimet e vendosura nga autoritetet kanë hyrë në javën e 11-të. Sipas organizatës monitoruese NetBlocks, miliona qytetarë iranianë janë ende pa qasje të lirë në internet, duke u përballur me atë që cilësohet si një “terr informativ”.

Raportohet se shumica e 90 milionë banorëve të vendit kanë akses vetëm në platforma dhe shërbime të kontrolluara nga shteti, ndërsa rrjetet dhe faqet ndërkombëtare mbeten të bllokuara. NetBlocks paralajmëroi se censura po krijon pengesa serioze për komunikimin, informacionin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Megjithatë, ndryshe nga qytetarët, zyrtarët iranianë dhe mediat shtetërore vazhdojnë të përdorin lirisht internetin global dhe rrjetet sociale. Sipas raportimeve, ata publikojnë rregullisht në Telegram dhe platformën X, edhe pse këto rrjete mbeten të ndaluara për shumicën e popullsisë.

Shumë iranianë shmangin edhe përdorimin e aplikacioneve të miratuara nga shteti, për shkak të frikës nga mbikëqyrja dhe kontrolli i autoriteteve. Ndërkohë, vendi po funksionon prej rreth 70 ditësh me akses shumë të kufizuar në internetin ndërkombëtar, duke e thelluar izolimin digjital të qytetarëve.