Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar se do të dëbojë personat e pastrehë nga kryeqyteti dhe do të fusë kriminelët në burg, edhe pse kryetari i Uashingtonit ka deklaruar se aktualisht nuk ka rritje të nivelit të krimit në qytet.

“Të pastrehët duhet të largohen, TANI. Do t’ju ofrojmë vende për të qëndruar, por LARG kryeqytetit. Kriminelë, ju nuk do të largoheni — do t’ju fusim në burg, aty ku e keni vendin”, shkroi Trump në platformën Truth Social.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të shpjegonte se çfarë autoriteti ligjor do të përdorte Trump për të dëbuar të pastrehët nga Uashingtoni. Presidenti republikan ka kompetencë të drejtpërdrejtë vetëm mbi tokat dhe ndërtesat në pronësi federale brenda qytetit.

Trump pritet të mbajë më vonë sot një konferencë për shtyp mbi mënyrat për të “ndalur dhunën në Uashington”. Nuk dihet ende nëse ai do të publikojë më shumë detaje rreth planit të tij gjatë kësaj konference.