Televizioni shtetëror rus RT (Russia Today) ka publikuar një video ku shihet një autoblindë amerikane M113 në përdorim nga ushtria ruse.
Sipas RT, ekipi i tankut të regjimentit të 70-të të motorizuar i ka dorëzuar korrespondentit të tyre ushtarak, Vladi Andrica, një video që tregon një automjet me flamuj rusë dhe amerikanë që valëviten teksa lëviz me shpejtësi drejt fushëbetejës pranë fshatit Mala Tokmaçka, në zonën e Zaporozhjes.
Pentagon APC hoists Russian AND US flag into battle against Zelensky
Sign of the times? pic.twitter.com/4Wv661zsrz
— RT (@RT_com) August 18, 2025
RT raporton se bëhet fjalë për një transportues që më parë ishte marrë nga ushtria ukrainase, më pas është riparuar dhe është vendosur sërish në përdorim nga forcat ruse. Mediat pretendojnë se automjeti tani po përdoret në misione luftarake nga ushtria ruse.
M113 është një automjet amerikan i blinduar me zinxhirë, i dizajnuar për transportimin e trupave dhe pajisjeve, që ka qenë në shërbim që nga vitet 1960. Pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022, SHBA-ja dhe aleatët e saj i dorëzuan një numër të madh të këtyre transportuesve Ukrainës, së bashku me lloje të tjera të automjeteve të blinduara, si Bradley
Publikimi i këtyre incizimeve vjen menjëherë pas takimit midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, i mbajtur në Alaskë. Temë kryesore e bisedimeve ishte lufta në Ukrainë, respektivisht mundësia për paqe në Ukrainë.
Pas takimit, Trump deklaroi se biseda ka qenë “produktive” dhe paralajmëroi për negociata të reja midis Rusisë dhe Ukrainës. Nga ana tjetër, Putin vlerësoi se në takim u arrit “mirëkuptim” dhe shprehu mundësinë që takimi i ardhshëm të mbahet në Rusi.
