LSDM vazhdon të akuzojë Qeverinë për keqmenaxhim të krizës me ujin në Gostivar, duke thënë se mbi 4.000 qytetarë janë përballur me pasojat e ujit të kontaminuar. Sipas partisë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka njoftuar se analizat zyrtare të ujit do të publikohen më 20 gusht, ndërsa ngritën pyetjen mbi bazën e cilave analiza u deklarua më herët se uji ishte “teknikisht i rregullt” për përdorim.
“Tani e njëjta qeveri u kërkon qytetarëve të presin deri më 20 gusht për analizat zyrtare. Kjo është e papërgjegjshme dhe e papranueshme. Qeveria po luan me shëndetin dhe jetën e njerëzve. Skandali është edhe më i madh, sepse uji i ndotur arriti edhe në spitalin e Gostivarit. Ky është një kolaps i plotë i sistemit”, theksoi Maja Borozan, LSDM.
LSDM kërkoi përgjegjësi nga kryeministri Mickoski dhe ministrat përgjegjës, si dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë rastin dhe procedurën e furnizimit me ujë për Gostivarin.
VMRO-DPMNE reagoi ndaj akuzave, duke pretenduar se gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe ish-ministrit Venko Filipçe janë evidentuar raste të ujit të pasigurt për pije në disa vendbanime të vendit, përfshirë edhe Gostivarin.
“Por sot shtrohet një pyetje edhe më e rëndësishme, dhe ajo është nëse dikush nga pushteti i atëhershëm kërkoi përgjegjësi? A u shkarkua ndonjë drejtor? A u thirr ndonjë kryetar komune për përgjegjësi? Përgjigjja është jo. Derisa LSDM-ja ishte në pushtet, problemet liheshin të grumbulloheshin”, theksoi Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.
Partia nga e cila vjen kryetari i Gostivarit Valbon Limani, Aleanca për Shqiptarët, përmes një komunikate i dha mbështetje atij për menaxhimin e situatës me ujërat e ndotura, duke theksuar se kjo krizë nuk duhet të shfrytëzohet për pikë politike apo fushata partiake.
“Është e lehtë të kritikosh nga larg, por qytetarët e mbajnë mend mirë se kush ishte pranë tyre në ditët më të vështira dhe kush nuk solli as edhe një shishe ujë, duke u mjaftuar vetëm me akuza dhe deklarata publike. Çdo lëshim duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi të përcaktohet nga institucionet kompetente. Por situata delikate në Gostivar nuk duhet të përdoret për tensione, viktimizim apo përfitime partiake”, thonë nga ASH.
ASH përfundon duke thënë se Gostivari ka nevojë për solidaritet, përgjegjësi dhe ndihmë konkrete, jo për propagandë dhe skenarë politikë.
