Gazetar: Suad Bajrami

Reagime për glorifikimin e figurës së kriminelit të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë Ratko Mlladiq nga ana e partisë së ministrit Ivan Stoilkoviq. Partia VLEN-it e cila në fakt është së bashku në qeveri me Stoilkoviqin, kërkon përgjegjësi.

“VLEN dënon fuqishëm çdo glorifikim të çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda. Akoma më shqetësuese është kur përmbajtje të tilla publikohen nga drejtuesi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera… VLEN kërkon përgjegjësi të menjëhershme. Kush nuk respekton viktimat dhe vlerat e bashkëjetesës nuk mund të jetë garant i të drejtave të komuniteteve”, thonë nga VLEN.

Megjithatë, BDI-ja opozitare thotë se VLEN-i sillet si të ishte organizatë joqeveritare apo parti opozitare.

“Pret që të reagojë opinioni, populli dhe partitë e tjera, pastaj del me ndonjë reagim formal për të larë duart. Por VLEN-i nuk është spektator. VLEN-i është në Qeveri dhe është bashkëpërgjegjës për partnerët që i mban në pushtet dhe për gjithçka që toleron për hir të karrigeve. Në këtë derexhe nuk kemi ardhur rastësisht. Kemi ardhur si rezultat i politikanëve që karrierën personale e kanë vendosur mbi gjithçka dhe që durojnë, heshtin dhe tolerojnë”, thonë nga BDI.

Për skandalin ka reaguar edhe LSDM-ja opozitare e cila kërkon përgjegjësi penale për glorifikimin e Mlladiqit.

“Ligji ekziston, vepra penale ekziston, institucioni kompetent ekziston. Çfarë pret Prokuroria Publike? Thirrje nga Mickoski? Prokuroria patjetër duhet të veprojë për glorifikimin e Ratko Mlladiqit dhe ta konstatojë përgjegjësinë e Ivan Stoilkoviqit, përgjegjësinë e tij, partisë së tij dhe Dalibor Kitanoviq… Mickoski patjetër duhet të thotë nëse në Qeverinë e tij ka vend për funksionarë që glorifikojnë ose arsyetojnë kriminelë lufte ose do t’i thirr në përgjegjësi politike”, deklaroi Keti Shterjova nga LSDM.

Për rastin ka reaguar edhe Qeveria, e cila thotë se qëndrimi i Kitanoviqit është personal dhe i papranueshëm. Në vend shkarkimit direkt, Qeveria i kërkon Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin e tij ose në të kundërtën do t’i kërkojë të tërhiqet nga pozita. /Alsat.mk.

The post VLEN kërkon llogari për glorifikimin e Mlladiqit, BDI: Po sillen si parti opozitare appeared first on Alsat.