U mblodhën në Filarmoninë nacionale, për promovimin e Shtabit Qendror Zgjedhor.
Shef i shtabit për zgjedhjet lokale të koalicionit VLEN u konfirmua Adnan Azizi, aktualisht deputet, por që nuk qëndron mirë me maqedonishten.
Gazetarja: Edhe në maqedonisht? … Nuk doni, sepse edhe sot…
Zeqirija Ibrahimi: Dobët në maqedonisht…
Adnan Azizi: Venera, ec përktheje këtë pjesën!
Zeqirija Ibrahimi: Hajde bre se e rregullojmë këtë punë.
Adnan Azizi: Do të ketë pastaj…
Emra konkretë të kandidatëve për kryetar komunash tash për tash nuk ka, por Azizi tregoi se të gjithë kandidatët potencialë do t’i nënshtrohen procesit të matjeve në anketa.
“Do të ketë matje, sondazhe, do të ketë edhe matje direkte në terren, se cili propozim do të jetë më i kapshëm për mëhallën, për fshatin, për qytetin, de-facto për komunën ku do të garojë”, tha Adnan Azizi, Shef Shtabi Zgjedhor në VLEN.
Brenda në sallë, pasi përmes një videoje u promovuan disa nga të arritura të deritanishme të Qeverisë, liderët e koalicionit theksuan se themelimi i shtabit zgjedhor dëshmon frymën e unitetit në VLEN. Nuk munguan as thumbat ndaj oponentëve politikë dhe atyre që dikur ishin edhe pjesë e këtij koalicioni.
“Politika e territ u mundua të na përçajë dhe dobësojë, por ndodhi e kundërta! Agjentët e tyre u larguan, e VLEN-i mbeti i bashkuar dhe i pastër, sepse VLEN nuk është ndërtuar mbi individë por mbi ide”, deklaroi Izet Mexhiti, LD/VLEN.
“Ne sot jemi këtu të pohojmë se VLEN-i është më i fortë se dje. Plani i atyre listave të zeza tashmë ka dështuar”, pohoi Zeqirija Ibrahimi, AAA.
“Nga një thirrje për ndryshim, ajo është shndërruar në një lëvizje që rritet për ditë me njerëz të zakonshëm por me zemër të madhe”, tha Bilall Kasami, L.Besa/VLEN.
Arben Fetai foli në emër të ASH-së, edhe pse kryetari i këtij fraksioni, Arben Taravari, me një pjesë së strukturës së tij s’është më pjesë e koalicionit. Ajo që ndodhi me kryetarin e ASH-së, sipas Fetait, nuk kishte lidhje me VLEN-in, performacën e Qeverisë ose ndarjen e komunave, por siç u shpreh, ishte skemë e gatuar në kuzhinat e BDI-së.
“Nga këtu i drejtohem çdo aktivisti të VLEN-it, por mbi të gjitha çdo anëtari të sinqertë, të ndershëm, të ASH-së – VLEN është shtëpia jonë, VLEN është shtëpia juaj, një shtëpi ku vlen vetëm një gjë, shërbimi ndaj qytetarit”, shtoi Arben Fetai, ASh/VLEN.
Edhe pse ende nuk është regjistruar zyrtarisht si parti, e nuk ka as kryetar, kreu i Alternativës Zeqirija Ibrahimi siguron se VLEN-i tashmë funksionon si një subjekt i vetëm politik, ndërsa shtoi se nuk kanë rëndësi emrat e individëve në krahasim me subjektin.
