Volkswagen rikthen nostalgjinë, Golf GTI 1976 me 325 kuaj fuqi dhe marsh manual!

Volkswagen ka prezantuar një edicion të veçantë të Golf GTI, me të cilin shënon 50-vjetorin e modelit legjendar sportiv. I pagëzuar Golf GTI 1976, modeli i ri vjen me 325 kuaj fuqi dhe një veçori që do t’i gëzojë adhuruesit e automobilave: marshin manual me gjashtë shpejtësi, përcjell TV21. Prodhimi do të jetë i kufizuar në vetëm 1.976 ekzemplarë, në një referencë simbolike ndaj vitit kur u prezantua Golfi i parë GTI. Automobili do të prodhohet në Wolfsburg të Gjermanisë, ndërsa dalja e tij në tregun evropian planifikohet për tremujorin e parë të vitit 2027.

Nën kapakun e motorit, Golf GTI 1976 zhvillon 239 kW, përkatësisht 325 kuaj fuqi, dhe 380 Nm çift rrotullues. Ai është po aq i fuqishëm sa Golf GTI Edition 50 dhe ka 24 kuaj fuqi më shumë se GTI Clubsport aktual. Por risia kryesore është transmisioni. Ky do të jetë modeli i vetëm në ofertën aktuale GTI që do të ofrohet me marsh manual, duke rikthyer përvojën klasike të drejtimit sportiv.

Edhe dizajni sjell elemente nostalgjike. Në pjesën e jashtme dallohen vijat e kuqe sportive, fellnet 19-inç dhe mbishkrimi GTI 1976. Në kabinë, Volkswagen ka rikthyer edhe levën e marshit në formën e një topi golfi, si homazh ndaj modelit të parë.

Për ata që kërkojnë më shumë performancë, do të ofrohet edhe paketa GTI Performance, me sistem shkarkimi me dalje titani, fellne të farkëtuara 19-inç dhe amortizim të modifikuar sportiv.

Çmimi ende nuk është bërë i ditur. Ndërkohë, që nga viti 1976, Volkswagen ka shitur më shumë se 2,5 milionë ekzemplarë të Golf GTI në mbarë botën.