Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, i kërkoi eurokomisares Marta Kos që të angazhohet diplomatikisht për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, përcjell TV21. Këtë kërkesë ai e bëri para Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian, ku u prezantua paketa e zgjerimit.
“Dua të theksoj në aspekt pozitiv mënyrën se si Kroacia dhe Mali i Zi po i trajtojnë çështjet dypalëshe. Dua t’i falënderoj kryeministrin Plenkoviq dhe kryeministrin Spajiq që po bisedojnë mes vete, që janë ulur në të njëjtën tryezë dhe po gjejnë zgjidhje për çështjet dypalëshe. Sepse çështjet dypalëshe në asnjë mënyrë nuk duhet ta pengojnë përparimin në procesin e anëtarësimit. Pikërisht kështu duhet të veprohet”, theksoi Waitz.
Waitz vlerësoi se ky është një shembull i shkëlqyer se si mund të trajtohen çështjet dypalëshe që kërkojnë dialog edhe në vende të tjera, siç është Maqedonia e Veriut.
“Disa nga çështjet dypalëshe tashmë janë në nivel evropian. Bëhet fjalë për përfshirjen e pakicave dhe, në këtë drejtim, duhet të realizohen ndryshimet kushtetuese. Por, po e përsëris, e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo rrugë pa krye është që palët të bisedojnë mes vete, përkatësisht qeveritë e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të ulen dhe të diskutojnë. Duke qenë se e dimë se motivimi nuk është gjithmonë në nivelin më të lartë, ju lutem, komisionere, të bëni përpjekje në këtë drejtim diplomatik”, iu drejtua Waitz komisioneres Kos.
Më herët, Kos prezantoi paketën e zgjerimit për vitin 2026, e cila përfshin raportet e Komisionit Evropian për dhjetë vendet kandidate për anëtarësim në BE. Ajo theksoi se secili vend kandidat mund t’i bashkohet grupit të vendeve që po përparojnë me shpejtësi dhe se Bashkimi Evropian i inkurajon të gjithë kandidatët ta bëjnë këtë zgjedhje.
Sa i përket Maqedonisë, ajo tha se Qeveria po dëshmon përkushtim ndaj reformave dhe agjendës reformuese.
“Komisioni Evropian do të vazhdojë ta mbështesë vendin në rrugën drejt BE-së. Qëllimi ynë mbetet hapja e klasterit të parë sapo të plotësohen kushtet. Vendi duhet ta përmbushë obligimin për përfundimin e ndryshimeve kushtetuese, siç është përcaktuar në konkluzionet e Këshillit të 18 korrikut 2022. Tani gjithçka varet nga Maqedonia e Veriut”, tha Kos.
