Juventusi e Borussia Dortmundi kanë luajtur ndeshje të zjarrtë të martën mbrëma. Dhe spektakli me plot tetë gola nuk dha fitues.

Juve e Dortmundi u përballën në Torino, në kuadër të xhiros së parë të fazës së ligës në Champions. Te Juventusi në këtë superndeshje debutoi Edon Zhegrova. Për sulmuesin e Kosovës është paraqitja e parë që nga 15 dhjetori i vitit të kaluar. Në fund të afatit kalimtar veror, Zhegrova kaloi nga Lille te gjiganti italian.

Zhegrova u aktivizua në minutën e 87-të, në vend të Kenan Yildizit. Rezultati ishte 4:2 për Dortmundin dhe shumica e njerëzve menduan se çështja e fituesit ishte zgjedhur.

Por Zhegrova dha kontribut që rezultati në fund të jetë 4:4. Ylli i Kosovës ishte pjesë e aksionit të golit të fundit, të shënuar nga Juventusi në minutën e gjashtë shtesë.

Lloyd Kelly shënoi golin e festës së madhe në Torino. Juventusi e ngushtoi rezultatin në 4:3 në minutën e 94-t, kur shënoi Dushan Vlahoviq. I njëjti lojtar asistoi për 4:4.

Ishte fund i shkëlqyer i një spektakli plot gola.

Të gjithë tetë golat u shënuan në pjesën e dytë. Dhe secili gol ishte më i mirë se tjetri.