Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, i cili u shtrua në spital të premten pas një problemi të papritur shëndetësor, po përmirësohet vazhdimisht. Në një konferencë për shtyp, ndihmëstrajneri i Bayern, Aaron Danks, u përpoq të qetësonte tifozët lidhur me gjendjen e belgut.

“E vizitova Vincent dje. Ai është në humor të mirë dhe ndjen se po përmirësohet nga dita në ditë, gjë që është padyshim një shenjë shumë pozitive“, tha Danks.

Ndihmëstrajneri dha gjithashtu informacione mbi kohëzgjatjen e rikuperimit dhe planin për rikthimin e tij, duke konfirmuar se prioriteti absolut mbetet shërimi i tij i plotë: “Nuk ka të reja thelbësore lidhur me diagnozën apo ndonjë datë për rikthimin e tij në punë”.

“Qëllimi kryesor është të sigurojmë që ai të qëndrojë i qetë, duke i lejuar vetes pushim dhe rikuperim të energjive, pa u ngutur. Në këtë drejtim, asgjë nuk ka ndryshuar“, shtoi zv.trajneri i Bayern.

Danks ndau detaje nga vizita, duke treguar se çfarë u diskutua me trajnerin: “Biseduam pak, por jo për futboll apo taktika. Ai thjesht pyeti se si po shkojnë gjërat dhe si janë lojtarët”.

“Ishte një bisedë miqësore dhe ishte vërtet mirë ta shihje në një gjendje kaq pozitive shpirtërore“, tha Danks, që vazhdon të ketë drejtimin e skuadrës, duke zëvendësuar Kompany gjatë mungesës së tij të detyruar në pankinë.

The post Zv.trajneri Danks zbulon gjendjen e Kompany: Duhet të pushojë dhe t’i marrë gjërat me qetësi… appeared first on Telesport.