Festojnë besimtarët myslimanë, herët në mëngjes u fal namazi i Kurban Bajramit

Myslimanët në vendet e Ballkanit e kanë pritur me entuziazëm Kurban Bajramin.

Besimtarët në vendet e rajonit u dyndën në xhami në orët e mëngjesit për të falur namazin e Bajramit.

Besimtarët myslimanë janë mbledhur nëpër sheshe dha xhami në kryeqytetet e vendeve të rajonit, por edhe në xhamitë e qyteteve të tjera, për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të një ndër festave më të mëdha të fesë islame.

Ashtu si në shumë qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, edhe në Shkup, shumë besimtarë u mblodhën nëpër xhami për të falur namazin e Bajramit.

Manifestimi qendror për faljen e këtij namazi u organizua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI) dhe u mbajt në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Gjatë ceremonisë u recituan ajete nga Kurani dhe u kënduan ilahi në disa gjuhë.

Ndërkaq në edhe në Kosovë xhamitë u mbushën në orët e hershme nga besimtarët për faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Manifestimi qendror i Bashkësisë Islame të Kosovës është mbajtur në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih”, në Prishtinë.

Në Shqipëricceremonia qendrore për namazin e Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.

Pjesë e ceremonisë qendrore në Tiranë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.

Edhe në sheshet dhe xhamitë e qyteteve të tjera të Shqipërisë janë mbajtur programe për Kurban Bajramin.

Në Podgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi, myslimanë të shumtë falën namazin me rastin e festës në Xhami Osmanagiq.

Pas namazit, përveç vizitave tradicionale tek të afërmit dhe gëzimi i fëmijëve me dhurata, Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kafshëve në shenjë devotshmërie ndaj Zotit, një ritual që buron që nga koha e profetëve Ibrahimit dhe Ismailit.