A do të arrijë shteti të vendosë rregull në çmimet e banesave, pasi çmimi për metër katror ka arritur deri në 2.500 – 3.000 euro, çmime të krahasueshme me destinacione ekzotike? Guvernatori Slavjeski deklaroi se gjysma e banesave blihen me para në dorë dhe paralajmëroi masa për stabilizim. Ndërkaq, drejtori i Ndërmarrjes Shtetërore për Strehim thotë se çmimet kanë dalë jashtë çdo logjike reale dhe objektive. Në një intervistë për Agjencinë Informative të Maqedonisë, ai tha se është i domosdoshëm një veprim sistematik për të krijuar ekuilibër në treg dhe çmime reale, e jo spekulative.
“Është e qartë se çmimet e banesave kanë dalë jashtë kuadrit real dhe objektiv. Për rrjedhojë, të gjithë po përballemi me një situatë ku metri katror bëhet gjithnjë e më pak i përballueshëm, dhe gjithnjë e më shumë objekt spekulimi. Edhe pse kjo është pjesë e funksionimit natyror të tregut të lirë, duhet të ekzistojë një ekuilibër që mbron interesin e qytetarëve, sepse çmimet shpesh lëvizin në drejtim që nuk përputhet me fuqinë reale blerëse të popullatës”, tha Marjan Stefanovski, drejtor i NP Banesa.
Sipas Stefanovskit, po punohet për zgjerimin e kapaciteteve ndërtimore në mënyrë që të ndërtohen sa më shumë banesa komerciale, të cilat do të mund të veprojnë si korrigjues të çmimit të banesave.
Për shqetësimin nga rritja e çmimeve foli edhe guvernatori Sllaveski, i cili paralajmëroi masa në koordinim me institucione të tjera. Sipas të dhënave nga Banka Popullore, në tremujorin e parë dhe të dytë të këtij viti çmimet e banesave janë rritur mbi 20 për qind. Sllaveski tha se po bëhen analiza dhe se gjysma e banesave të shitura blihen me para në dorë.
“Sipas informacionit dhe vlerësimeve që marr, rreth 50 për qind e banesave të reja blihen me kredi, ndërsa 50 për qind të tjera me para në dorë. Ne nuk kemi të dhëna se nga vjen kjo para në dorë – a është nga kursime, apo nga të ardhura të tjera për të cilat nuk dëshirojmë të flasim. Ka institucione të tjera që duhet ta përcaktojnë këtë, përfshirë edhe Bankën Popullore”, tha Sllaveski.
Sipas Bankës Popullore, në katër vitet e fundit (nga 2021 deri tani), çmimi për metër katror të banesave është rritur me 75 për qind. Ndërkohë, regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 tregoi se mijëra banesa janë të zbrazura – vetëm në Shkup ka gati 60.000 banesa bosh. E që atëherë e deri më tani, janë ndërtuar mijëra të tjera.
