Edhe pse është shumë herët për të folur për një “dimër të inteligjencës artificiale” ose një shpërthim të plotë të flluskës, një sërë vështirësish dhe pengesash në industri po i detyrojnë investitorët, kompanitë dhe përdoruesit të rivlerësojnë pritjet.
Një nga sinjalet më të qarta të ndryshimit erdhi nga Meta. Kompania, e cila deri vonë ofronte bonuse deri në 100 milionë dollarë për të tërhequr ekspertë të IA-së, tani po ngrin punësimet dhe po shqyrton zvogëlimin e departamentit të saj të IA-së.
Edhe OpenAI, lideri i revolucionit global të IA-së, nuk është pa probleme. Shefi i saj, Sam Altman, përndryshe promotori më i madh i industrisë, e përmend hapur fjalën “flluskë” në intervistat e fundit. I cilësuar si revolucionar, ChatGPT-5 i ri ka shkaktuar zhgënjim sepse nuk i ka përmbushur pritjet për aftësi të nivelit “doktor”.
Humbjet e tregut të aksioneve dhe rezultatet e dobëta
Coreweave, kompania e cloud-it e mbështetur nga Nvidia, u godit veçanërisht rëndë nga vala e pasigurisë, duke humbur gati 40 përqind të vlerës së saj vetëm në një javë. Në të njëjtën kohë, një studim i MIT zbuloi se 95 përqind e projekteve të IA-së të nisura në kompani dështuan të arrinin qëllimin e tyre kryesor për rritjen e të ardhurave, sipas CNN.
Dhe ndërsa OpenAI dhe Anthropic përpiqen të gjejnë një rrugë drejt biznesit të qëndrueshëm, të dyja po lidhin kontrata me qeverinë amerikane me kushte pothuajse simbolike, pavarësisht faktit se ato ende po djegin me shpejtësi kapitalin pa një perspektivë të qartë fitimprurëse.
Investitorët kërkojnë mbrojtje nga një rënie
Një kombinim i tillë sinjalesh i ka detyruar tregtarët të kërkojnë opsione shitjeje për katastrofë – instrumente financiare që shërbejnë si sigurim në rast të një rënieje të papritur të tregut. Frika nga një përsëritje e skenarit të fundit të viteve 1990, kur flluska dot-com shpërtheu në mënyrë spektakolare, është rishfaqur në Wall Street.
Startup-et dhe kompanitë eksperimentale nuk janë të vetmet që janë nën sulm. Aksionet e gjigantëve të teknologjisë që kanë shtyrë përpara të gjithë tregun vitet e fundit, si Nvidia, Microsoft dhe Palantir, kanë rënë ndjeshëm këtë javë.
Sigurisht, Wall Street nuk po merret vetëm me lajme të këqija nga sektori i inteligjencës artificiale. Presion shtesë vjen nga tarifat tregtare, rezultatet e përziera të shitjeve me pakicë dhe pasiguria politike që rrethon përpjekjet e presidentit amerikan për të emëruar besnikë në pozicione kyçe në Rezervën Federale. Kjo është arsyeja pse fjalimi i Kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, po pritet me vëmendje të veçantë.

Ekspertët të ndarë
Ndërsa disa e shohin fillimin e fundit të ekzaltimit të inteligjencës artificiale, të tjerë besojnë se është një pauzë e nevojshme. “Kjo mund të jetë thjesht një pauzë që rifreskon tregun dhe i bën investitorët të mendojnë se ku duan ta investojnë kapitalin e tyre”, tha Rob Haworth, strateg kryesor i investimeve në US Bank Asset Management Group.
Por ka edhe zëra më skeptikë. Kolumnisti i teknologjisë, Ed Zitron, thotë: “Një shpërthim flluske nuk është kurrë një ngjarje e vetme, por një seri ndryshimesh graduale në perceptimin e një teknologjie që nuk e ka provuar kurrë vlerën e saj përtej entuziazmit bosh. Tre verë më vonë, ende nuk ka prova se ndonjë nga këto është e vërtetë.” Narrativa po del jashtë kontrollit dhe e vetmja mënyrë për ta shpëtuar është të tregohen të ardhura reale – të cilat ende nuk i kanë bërë.”
The post A po mbaron euforia e inteligjencës artificiale: Investitorët po blejnë sigurime mes panikut! appeared first on Alsat.
