Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator. Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë eks oficio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës. Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”. Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”. /alsat.mk

The post Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime appeared first on Alsat.