Do të ndërtohet objekt i ri për shkollën fillore “Idnina” në Çair, ndërsa deri atëherë fëmijët me nevoja të veçanta do të vendosen në objektin e shkollës së mesme për rehabilitim dhe arsim “Shën Naumi i Ohrit”. Fëmijët me nevoja të veçanta arsimore do të jenë në ambiente të sigurta mësimore – theksoi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, i cili shtoi se në dispozicion janë 9 kabinete të rregulluara.
“Sot këtu në “Shën Naumi i Ohrit” kemi në dispozicion 9 kabinete tërësisht të rregulluara për mbështetje individuale mësim sipas metodës montesori, riedukim psikomotorik, terapi me art, dhomë senzorike dhe bibliotekë. Çdo fëmijë do të ketë mundësi të zhvillohet dhe të mësojë në një ambient të sigurtë dhe nxitës. Ky është vetëm hapi i parë. Qeveria mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një objekti të ri modern në lokacionin ekzistues në Çair”, tha Izet Mexhiti, zv/kryeministër i parë.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, bëri të ditur se një pjesë e nxënësve ende janë në shkollën e vjetër “Idnina” në atë pjesë ku është e sigurtë, dhe tha se presin për një kohë të kryhen të gjitha punimet.
“Përkohësisht do të zhvendoset shkolla fillore “Idnina”. Ashtu siç e dini gjendja në shkollën e vjetër “Idnina” nuk përputhet me standardet dhe për këtë së bashku me përfaqësuesit e Odës MATO, zëvendëskryeministri dhe MASH kemi bërë rikonstruim në këtë pjesë që të munden nxënësit të jenë në siguri dhe ta ndjekin mësimin dhe të marrin rehabilitim në siguri. Ashtu siç keni mundur ta shihni tashmë 9 kabinete janë pajisur”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Ajdovan Ademoski, kryetari i MATTO tha se është i lumtur që është investuar për fëmijët, sepse siç shtoi ata janë ardhmëria jonë.
“Oda e biznesit maqedono-turk, me krenari mund të themi se jemi të lumtur që kemi mundësuar që të rinovohet shkolla “Shën Naumi i Ohrit”, kështu që ne si odë maqedono-turke, kemi kontribuar dhe investuar në të ardhmen e fëmijëve”, pohoi Ajdovan Ademoski, Kryetar i MATTO .
Sa i përket lokacionit të shkollës “Idnina” Izet Mexhiti bëri të ditur se do të ndërtohet shkollë e re për fëmijët me nevoja të veçanta, ku mjetet do t’i siguron ministria e arsimit, komuna dhe qeveria ndërsa aty afër në hapësirën e mbetur do të ndërtohet edhe një shkollë tjetër për nxënësit e Çairit.
