Serialet turke, të njohura si “dizi”, kanë pushtuar ekranet në rreth 170 vende të botës dhe janë parë nga afro 1 miliard njerëz. Me skenarë dramatikë, aktorë karizmatikë dhe skena luksoze në pallate osmane apo përgjatë Bosforit, ato janë kthyer në një nga eksportet më të suksesshme kulturore të Turqisë.

Këto seriale kanë famë aq të madhe sa që dhe yjet e Hollwoodit i shikojnë.

Traileri i seriali “Muhteşem Yüzyıl” :

Bazuar në disa raportime që janë bërë së fundmi, aktori i njohur Bradley Cooper, i cili ka treguar se është fans i dramave turke, ka thënë se i pëlqen seriali “Muhteşem Yüzyıl”. Ndërkohë ai ka thënë se nënës së tij i pëlqen seriali turk komedi, “Erkenci Kuş”.

Por Financial Times ka shkruar se tani kjo industri po përballet me një krizë të re: inflacionin e lartë.

“Ne përballemi me kosto prodhimi edhe më të larta se Spanja. Kjo ndikon drejtpërdrejt në shitjet ndërkombëtare. Me kalimin e kohës, eksportet televizive do të bien”, ka thënë Özcan Altunkaya nga Dhoma e Tregtisë e Stambollit.

Inflacioni në Turqi arriti kulmin në fund të vitit 2022 me 85 për qind. Rritja e çmimeve ka trefishuar kostot e prodhimit, deri në mbi 240 mijë dollarë për orë xhirimi, sipas një drejtuesi evropian të medias që ka ndalur aktivitetin në Turqi.

“Televizioni turk është një makineri e jashtëzakonshme dhe shumë efikase. Por rritja e kostove po kërcënon sekretin e suksesit të tij”, ka thënë ai.

Modeli unik që po vihet në rrezik

Industria turke funksionon me një model të veçantë dhe shumë konkurrues. Çdo javë prodhohen episode të reja që transmetohen menjëherë, ndërsa serialet që nuk kanë audiencë ndërpriten shpejt. Serialet e suksesshme shiten jashtë vendit me fitim të pastër.

“Dikur ishte një ëndërr, qindra orë programesh të shitura jashtë vendit me 100 mijë dollarë për orë”, ka thënë drejtuesi evropian.

Por sot të ardhurat nga reklamat mbulojnë vetëm rreth gjysmën e kostos së një episodi. Kjo ka çuar në më pak projekte, më pak rrezik dhe më pak mundësi për hite të reja.

“Është një rreth vicioz. Kur prodhimi është i lartë, mund të eksperimentosh me talente dhe skenarë të rinj. Por kur një serial nuk mbulon kostot, të gjithë zgjedhin formate të sigurta”, ka thënë konsulenti i industrisë Burhan Gün.

Tani, shumica e projekteve kërkojnë paraprakisht shitje jashtë vendit për të nisur prodhimin.

Pasqyrë e krizës më të gjerë ekonomike

Vështirësitë e industrisë së serialeve pasqyrojnë problemet e përgjithshme të ekonomisë turke. Eksportet e pajisjeve shtëpiake ranë me 10 për qind vitin e kaluar, ndërsa sektori i tekstilit ka humbur rreth 380 mijë vende pune në tri vjetët e fundit.

Megjithatë, industria e “dizi” vazhdon të fitojë çmime ndërkombëtare dhe të hapë tregje të reja, si Rusia apo Arabia Saudite.

“Modeli i biznesit mund të jetë në pikëpyetje, por modeli i prodhimit mbetet i fortë. Nuk mund ta imagjinoni adrenalinën që krijon”, ka thënë profesoresha e studimeve mediatike Carolina Acosta-Alzuru.

Edhe producentët mbeten optimistë për prodhimin.

Mehmet Eryılmaz, bashkëproducent i serialit “Veliaht”, tregon se si një aktor që luante rolin e një personazhi negativ u lëndua gjatë xhirimeve dhe u detyruan ta “varrosnin” në skenar për të vazhduar serialin.

“Ai po prishte planin e xhirimeve dhe ishte personazh i urryer gjithsesi, kështu që e meritonte të vdiste. Duhet ta pranoj: gjithë kjo më bën të ndihem shumë gjallë”, ka thënë Eryılmaz me humor.