Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së hënës në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë, ku një 32-vjeçare është gjetur pa shenja jete në det.
Sipas informacionit paraprak të bërë me dije nga policia, viktima, me inicialet E.T., dyshohet se vuante nga depresioni. Ka qenë bashkëshorti i saj ai që ka konstatuar trupin në ujë dhe ka ndërhyrë për ta nxjerrë në breg.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave. Trupi i pajetë është transportuar drejt morgut për ekzaminime mjeko-ligjore.
Ndërkohë, bashkëshorti i 32-vjeçares po merret në pyetje nga hetuesit, në kuadër të verifikimeve që po kryhen për këtë ngjarje tragjike.
Burime nga policia bëjnë me dije se hetimet vijojnë, ndërsa pritet edhe rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
