Shteti do të sigurojë huamarrje të re për përfundimin e autostradës Kërçovë – Ohër, pasi banka kineze Exim u tërhoq nga financimi i projektit. Sipas paralajmërimeve, mjetet do të sigurohen nga pesë bankat më të mëdha në vend, dhe bëhet fjalë për një kredi në vlerë prej 175 milionë euro. Megjithatë, për momentin nuk përjashtohet mundësia që të nevojiten edhe mjete shtesë, në varësi të ecurisë së punimeve. Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, nuk zbuloi detajet për kushtet nën të cilat do të merret kredia, por theksoi se ato janë të favorshme. Huamarrja do të realizohet përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore.
“Mjetet janë siguruar nga bankat vendore, duhet të kalojë procedura qeveritare, edhe një javë apo dy na duhen që ta përfundojmë të gjithë procedurën dhe më pas do të dalim me kushtet e sakta. Por ato janë më të favorshmet që i ka marrë ndonjëherë ndonjë ndërmarrje publike në Maqedoni. Bëhet fjalë për pesë bankat më të mëdha në Maqedoni që bashkërisht i sindikojnë mjetet. Bëhet fjalë për Komercijalna banka, Stopanska banka Shkup, NLB, Shparkase, Halk banka dhe në këtë mënyrë janë siguruar mjetet,” deklaroi Aleksandar Nikollovski, ministër i transportit. /Alsat.mk
The post Shteti do të sigurojë huamarrje të re për përfundimin e autostradës Kërçovë – Ohër appeared first on Alsat.
