Ekipi i Pogradecit në volejboll për femra është shpallur sot kampion i Shqipërisë për sezonin sportiv 2025-2026. Ky është titulli i parë në histori për skuadrën pogradecare, që shkruan me të arta emrin e saj në listën e kampionëve.

Në finalen e pestë play off luajtur në sallën sportive “Arefi Berberi” në Pogradec, skuadra vendase mundi 3-0 (25-16, 25-22, 25-17) Tiranën finaliste, duke fituar 3-2 serinë e finaleve. Edhe pse bardheblutë udhëhiqnin 2-1 me ndeshje, nuk e bënë dot hapin final drejt titullit.

Inreresant fakti se kjo ishte ndeshja e parë që një nga ekipet finaliste fitonte në fushën e tij, pasi në katër përballjet e mëparshme gjithnjë fitonte skuadra udhëtuese. Por këtë herë, para tifozerisë së saj, skuadra e Pogradecit nuk gaboi, duke nisur një festë të madhe.

Një ndeshje pa histori, komanduar nga Pogradeci në të trija setet, që shkëputej gradualisht, pa i dhënë mundësi Tiranës të rivalizonte. Një punë e mirë e trajnerit Besnik Lisha, që drejtoi ekipin drejt një titulli historik, duke bërë që i gjithë qyteti të festojë.

Superliga-Femra, finale play off

Nd.1, Pogradeci – Tirana, 1-3

Nd.2, Tirana – Pogradeci, 1-3

Nd.3, Pogradeci – Tirana, 2-3

Nd.4, Tirana – Pogradeci, 0-3

Nd.5, Pogradeci – Tirana, 3-0 (3-2)

The post Pogradeci shkruan historinë e volejbollit, mund Tiranën në finale dhe fiton titullin e parë kampion appeared first on Telesport.