Ministri i politikës Sociale Fatmir Limani u shpreh i rezervuar lidhur me propozimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor për zgjatjen e pushimit të lehonisë nga 9 në 12 muaj. Thotë se nuk do të komentojë deri sa Qeveria të sjell një vendim përfundimtar.

“Këto janë politika të cilat janë duke u zhvilluar dhe po mundohemi me të gjithë stafin e kabinetit të kryeministrit të sjellim një vendim definitiv”, u shpreh Fatmir Limani – ministër për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

Dje u mor vesh se Fondi për Sigurimin Shëndetësor po shqyrton mundësinë e zgjatjes së pushimit të lehonisë në dymbëdhjetë muaj. Drejtori Sasho Klekovski njoftoi janë duke u zhvilluar analiza që duhet të përcaktojnë implikimet financiare dhe efektet e mundshme të kësaj mase në sistem.

“Po përpiqemi përmes analizës të shohim sa nga këto pushime mjekësore para dhe pas lindjes lidhen me të njëjtin proces të shtatzënisë. Në varësi të kësaj mund të shohim si mund ta përmirësojmë mekanizmin, sepse nëse kemi shpesh pushime mjekësore para dhe pas, sipas meje duhet të mendojmë për ndryshime në sistemin e pushimit të lehonisë”, theksoi Sashko Klekovski – Drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Sa i përket vonesave me pagesat, drejtori Klekovski u kërkoi falje lehonave dhe tha se po mundohen të gjejnë zgjidhje për standardizimin e përllogaritjeve, sepse të njëjtat bëhen në mënyrë manuale.