Në hapësirat e Cowork21 në Shkup u mbajt Forumi Studentor 2026, forum që mblodhi studentë, aktivistë dhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi të drejtat studentore, aktivizmin qytetar dhe sfidat e gjeneratës së re.
Në sesionet kryesore u diskutua për dinjitetin në arsim, pjesëmarrjen qytetare, rolin e universiteteve dhe sfidat me të cilat përballen studentët në rajon.
Mesazhi kryesor i forumit ishte se të rinjtë nuk duhet të presin ndryshimin nga të tjerët, por të marrin përgjegjësi për ta krijuar vetë atë.
Pjesë e forumit ishin edhe diskutime për ndikimin e inteligjencës artificiale në arsim, mënyrën se si media mund t’i bëjë më të dëgjueshme historitë e të rinjve, si dhe efektet e varësisë digjitale.
Në fund të aktivitetit u miratua edhe një rezolutë studentore me mesazhe dhe rekomandime për përmirësimin e pozitës së studentëve dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset shoqërore.
