Përplasje e hapur mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderit të LSDM, Venko Filipçe, në ceremoninë solemne për shënimin e 9 Majit, Ditës së Fitores ndaj Fashizmit dhe Ditës së Evropës. Në oborrin e Qeverisë, para monumentit “Çlirimtarët e Shkupit”, të dy vendosën kurora me lule të freskëta dhe shkëmbyen kritika të ashpra për sjellje jodinjitoze shtetërore. “Kurrë nuk do të bëj pazar me identitetin”, deklaroi kryeministri Mickoski, duke bërë thirrje për bashkim.
“Secili që më njeh mirë është i bindur se, pavarësisht zbrazëtive dhe sjelljes jodinjitoze shtetërore të establishmentit tonë politik, e di mirë se kurrë nuk do të bëj pazar me identitetin, me dinjitetin tonë, në këmbim të çfarëdo përfitimi personal apo politik, siç ka ndodhur në historinë tonë më të re. As që më ka shkuar ndër mend diçka e tillë”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se gjithçka që deklaron kryeministri është vetëm arsyetim dhe se duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese. Ai kritikoi pushtetin duke thënë se po e mban shtetin të izoluar nga Evropa.
“Gjithçka që thotë kryeministri është vetëm arsyetim. Sepse dihet çfarë duhet të bëhet për të nisur negociatat. Duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese. Çfarë është për të bashkimi? T’i japim mbështetje që të mos i bëjë ato? Që të vazhdojnë të vjedhin? Jo, kjo nuk do të ndodhë. Sepse Evropa do të vijë kur ne të vijmë në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Ceremonia solemne për 9 Majin, Ditën e Fitores ndaj Fashizmit dhe Ditën e Evropës, këtë vit u mbajt nën sloganin “Fitore, parime dhe vlera”.
