Nga Italia vjen një debat që duhet të na bëjë të reflektojmë edhe në Shqipëri. Pas krizës së futbollit italian, diskutimi nuk u ndal vetëm te trajneri i kombëtares. Përkundrazi, pyetja ishte shumë më e thellë: çfarë po prodhon sistemi i futbollit atje?

Edhe Shqipëria duhet t’ia bëjë vetes të njëjtën pyetje, sepse sukseset e kombëtares, kualifikimet në Europian dhe ato pak stadiume moderne nuk duhet të na krijojnë iluzionin se baza e futbollit shqiptar funksionon ashtu siç duhet. Në fakt, problemi më i madh nuk është te maja e piramidës, por në themelet e saj.

Sot në Shqipëri futbolli për fëmijët është bërë gjithnjë e më i kushtueshëm. Një familje paguan mesatarisht rreth 100 euro në muaj për stërvitjen në akademi. Më pas vijnë tarifat e federimit pranë FSHF-së, siguracioni sportiv sezonal, vizitat mjekësore, transporti për ndeshjet e fundjavës dhe turnetë. Këto të fundit kushton secili rreth 50 euro brenda vendit dhe shpesh mbi 300 euro jashtë Shqipërisë.

Në fund të sezonit, shuma që paguajnë prindërit është e konsiderueshme. Dhe pikërisht këtu lind pyetja që duhet t’iu interesojë të gjithëve: çarë standardi favorizon futbolli shqiptar? Në Itali, Fabio Capello ngrinte alarmin se kostot po rëndojnë mbi klubet dhe familjet, ndërsa sistemi po bëhet gjithnjë e më pak efikas në prodhimin e talenteve, futbollistëve cilësorë të se nesërmes. Në Shqipëri situata është edhe më delikate, sepse baza ekonomike është shumë më e dobët.

FSHF, me të drejtë, kërkon që trajnerët të jenë të licencuar, që akademitë të respektojnë kriteret administrative dhe që çdo lojtar të jetë i federuar, i siguruar dhe i pajisur me dokumentacionin përkatës. Këto janë standarde të domosdoshme, por futbolli nuk përmirësohet vetëm me plotësim dokumentesh.

Uniforma Ime” shkon në Korçë, Nuriu: Projekt që mbështet të gjithë fëmijët!

Sot ekzistojnë akademi që vazhdojnë të stërvitin në kalçeto, larg parametrave normalë të futbollit për moshat 13-vjeçare e lart. Shumica dërrmuese e tyre nuk kanë mjek sportiv, madje as fizioterapist apo trajner të specializuar të portierëve. Megjithatë, ato po shtohen përditë e më shumë dhe marrin pjesë normalisht në kampionatet kombëtare të moshave.

Kjo ngre një pyetje legjitime: nëse kontrolli është kaq rigoroz për pagesat dhe procedurat administrative, a duhet të jetë po aq rigoroz edhe për cilësinë reale të punës që bëhet me fëmijët nëpër këto akademi? Një tjetër problem lidhet me vetë filozofinë e futbollit të moshave te ne.

Në shumë akademi shqiptare objektivi është rezultati i ndeshjes, jo futbollisti i pesë viteve më vonë. Trajnerët janë shpesh nën presion për të fituar, prindërit kërkojnë trofe dhe klasifikime, ndërsa fëmijët që zhvillohen më vonë ose kanë nevojë për më shumë minuta përfundojnë në stol. Pankina është “vrasëse” për cilindo që dëshiron të bëhet futbollist, i çfarëdo moshe qoftë, sepse e vret moralisht, ia rrënon pasionin, e dekurajon shpirtërisht.

Në Itali po diskutohet seriozisht ideja që deri në moshën 15-vjeçare të garantohet aktivizimi i të gjithë lojtarëve të grumbulluar për një ndeshje. Edhe në Shqipëri një debat i tillë është i domosdoshëm, sepse një fëmijë që luan vetëm 5 apo 10 minuta në një ndeshje nuk zhvillohet. Ai humbet besimin, pasionin dhe shpesh largohet përgjithmonë nga futbolli.

Një sistem i mirë nuk matet nga kampionët që prodhon një herë në 10 vite, por nga numri i fëmijëve që vazhdojnë të luajnë futboll deri në moshën 18-vjeçare. Po aq i rëndësishëm është edhe formimi i trajnerëve.

Licencimi është i domosdoshëm, por licenca nuk duhet të jetë thjesht formalitet. Kurset duhet të jenë të vështira dhe të prodhojnë trajnerë më të mirë, me notë kaluese kursi 100%, jo vetëm më shumë trajnerë. Cilësia e akademive nuk varet nga numri i diplomave të varura në mur, por nga cilësia e stërvitjes që merr çdo fëmijë në fushë.

Një tjetër aspekt që meriton diskutim është mbështetja për klubet formuese. Shumë akademi private investojnë për vite me radhë te një futbollist dhe, kur ai kalon te një klub më i madh, shpesh ndihen të pambrojtura ekonomikisht. Sistemi i kompensimit për klubet formuese duhet të funksionojë me efikasitet maksimal, në mënyrë që investimi te të rinjtë të mos jetë humbje financiare, por një model i qëndrueshëm zhvillimi.

Analiza e Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier / Projektet e FSHF-së rritën  me 25 % ekipet & futbollistët e regjistruar në kampionate - FSHF

FSHF ka investuar shumë në infrastrukturë dhe organizimin e kampionateve të moshave. Kjo është e padiskutueshme, por faza e ardhshme, krahas ndërtimit të fushave, duhet të jetë edhe kontrolli rigoroz i standardeve nëpër akademi.

Duhet të ketë kontrolle të vazhdueshme mbi to, jo vetëm për dokumentacionin, por edhe cilësinë e stërvitjes, kushtet infrastrukturore, stafin mjekësor, përgatitjen fizike dhe metodologjinë e punës.

Futbolli modern nuk ndërtohet vetëm duke garantuar disa fusha sintetike, shpesh të konsumuara, për të luajtur ndeshjen e fundjavës në kampionat. Ndërtohet me trajnerë të mirë, me edukim, me durim dhe mbi të gjitha me një sistem që vendos në qendër fëmijën, jo rezultatin.

Në Itali e kanë kuptuar se problemi nuk zgjidhet vetëm duke ndryshuar trajnerin e kombëtares, ndaj krahas Mancinit u afrua edhe Ranieri, i cili do të merret me sistemin futbollistik italian, nga baza deri te maja e piramidës.

Edhe Shqipëria duhet të kuptojë se suksesi në kombëtaret kuqezi nuk do të vijë vetëm nga një brez i artë apo talentet e gatshme të diasporës. Suksesi do të vijë vetëm kur akademitë të prodhojnë vazhdimisht futbollistë më të mirë. Pra, kombëtarja nuk ndërtohet në “Arena Kombëtare”, ajo ndërtohet çdo pasdite, në fushat ku stërviten fëmijët shqiptarë.

The post Prindërit paguajnë “qimet e kokës”, akademitë fitojnë, por a fiton gjë futbolli shqiptar? appeared first on Telesport.