Prej muajsh qarkullojnë spekulime për martesën e shumëpritur mes Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodriguez, por deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar. Rreth një vit më parë, më 12 gusht 2025, Cristiano Ronaldo i propozoi partneres së tij Georgina Rodriguez për martesë.
Pas atij momenti, megjithatë, gjithçka ra në heshtje. Nuk pati asnjë njoftim zyrtar, ndërsa mediat vazhduan të spekulonin se ceremonia mund të zhvillohej pas përfundimit të Kupës së Botës. Botërori tashmë ka mbaruar, por ende nuk ka asnjë gjurmë të dasmës së yllit portugez.

Zërat, dasma këtë të shtunë?
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez janë bashkë prej afro 10 vitesh dhe kanë krijuar një familje me pesë fëmijë. Për këtë arsye, martesa do të ishte kurorëzimi i një historie të gjatë dashurie.
Në ditët e fundit të korrikut 2026, mediat portugeze raportuan se çifti mund të martohet shumë shpejt. Sipas tyre, ceremonia ishte planifikuar të zhvillohej të shtunën, më 1 gusht, në vilën neogotike Quinta da Regaleira, në Sintra të Portugalisë.
Raportimet pretendonin se gjithçka ishte organizuar në fshehtësi të plotë, ndërsa institucioni që administron kompleksin historik refuzoi të komentonte lajmet, duke u mjaftuar me një “no comment”.

Vijnë përgënjeshtrimet
Teksa lajmi po përhapej me shpejtësi, nisën të mbërrinin edhe përgënjeshtrimet. Revista spanjolle “Semana” raportoi se një burim pranë çiftit kishte mohuar që ceremonia do të zhvillohej fundjavën e ardhshme. Edhe më kategorike ishte “Hola”, e cila hodhi poshtë mundësinë që Ronaldo dhe Georgina të martohen më 1 gusht.
Sipas revistës, Quinta da Regaleira vazhdon të shesë bileta për vizitorët edhe gjatë ditës së shtunë. Për më tepër, në mbrëmje, në të njëjtin ambient është planifikuar zhvillimi i aktivitetit “A Todas As Mulheres”, ku do të performojë këngëtarja dhe producentja Silvana Peres.
Duke u bazuar në këto detaje, “Hola” e konsideron shumë të pamundur që e njëjta vendndodhje të presë edhe martesën e dy prej personazheve më të famshëm në botë.

Privatësia mbi gjithçka
Sekreti që rrethon martesën e Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodriguez nuk është diçka e pazakontë. Edhe pse janë ndër çiftet më të famshme në botë, të dy kanë treguar gjithmonë kujdes maksimal për jetën e tyre private. Në një intervistë për “Elle”, Georgina kishte treguar se dëshira e tyre është që ceremonia të jetë sa më intime, personale dhe larg vëmendjes së publikut.
Edhe propozimi për martesë ishte shumë privat. Sipas rrëfimeve, Ronaldo i propozoi Georginës në mënyrë krejt të thjeshtë, ndërsa ndodheshin në dhomën e tyre të gjumit. Vajzat hynë në dhomë dhe e pyetën babanë se kur do t’i propozonte më në fund nënës së tyre. Në atë moment, CR7 nxori unazën e fejesës, vlera e së cilës është vlerësuar rreth 5 milionë dollarë.
Kur do të zhvillohet dasma?
Pyetja mbetet ende pa përgjigje. Nëse ceremonia nuk zhvillohet këtë fundjavë, ndoshta në një vend tjetër nga ai i përmendur në mediat portugeze, “Hola” beson se skenari më i mundshëm është që martesa të shtyhet për në fund të vitit 2026, ose madje për gjatë vitit 2027, për shkak të angazhimeve të Cristiano Ronaldos me Al-Nassr.
The post Ronaldo dhe Georgina Rodriguez drejt martesës? Pohime dhe mohime, ja zërat e fundit appeared first on Telesport.
