Gazetar: Suad Bajrami
Pas gjashtë muajsh në arrest shtëpie, ish zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi nesër do të ulet në bankën e të akuzuarit lidhur me keqpërdorimin e rreth 8.2 milionë eurove në Lotarinë Shtetërore. Krahas tij, i akuzuar i parë në këtë lëndë është ish drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, megjithatë ai ende mbetet në arrati. I akuzuar është edhe ish sekretari i Qeverisë, Metodija Dimovski, por edhe kryetari dhe anëtarët e bordit të Lotarisë. Procesin gjyqësor do ta udhëheqë gjyqtarja Biljana Shuplinovska – Jovevski.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë furnizuar VLT aparate për Lotarinë Shtetërore edhe pse të njëjtat fare nuk kanë qenë të nevojshme dhe asnjëherë nuk janë përdorur.
Pavarësisht se Grubi dhe 7 persona të tjerë janë hetuar për veprën penale “Mashtrim në shërbim”, për të cilën parashikohet dënim me burg prej 4 deri në 20 vjet, Prokuroria e ka dorëzuar akuzën veprën penale “Keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar”, për të cilën parashikohet dënim më i butë, maksimalisht 5 vjet burg. Për këtë çështje, organi i akuzës tha se hetimi ka sjellë deri te provat për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” e jo për “Mashtrim në shërbim”.
Sipas organit të akuzës e tërë ngjarja fillon më 9 maj të vitit 2023, kur i dyshuari i parë, drejtor i Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, ka dorëzuar informatë në Qeveri për nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Përmes këtij informacioni, ai ka propozuar që të zbatohet procedurë për furnizimin e terminaleve VLT, megjithatë, sipas Prokurorisë, për shkak vlerës së furnizimit, Ligji parashikon procedurë për miratim nga Bordi Drejtues dhe Mbikëqyrës i “Lotarisë Shtetërore” dhe jo nga Asambleja e Aksionarëve.
Propozimi i këtillë është dorëzuar edhe pse Prokuroria thotë se i dyshuari e ka ditur se furnizimi është i pakuptimtë dhe i panevojshëm, pasi Shoqëria aksionare “Lotaria Shtetërore” sipas Ligjit për Lojërat e Fatit nuk ka të drejtë të organizojë lojëra elektronike fati në mënyrë të pavarur në territorin e shtetit, pasi që prej vitit 2013 ajo e drejtë i ishte ngarkuar Videolotarisë Shtetërore “Kazinos Austria”
Sekretari i Qeverisë Metodija Dimovski, më 6 qershor 2023 në kundërshtim me Rregulloren për punë e ka dorëzuar informatën si plotësim të rendit të ditës të seancës së Qeverisë, në vend që ta kthejë ose ta ridërgojë deri te organi kompetent.
Në anën tjetër, Artan Grubi, si i dyshuari i dytë, edhe pse e ka ditur se kërkesa konkrete për furnizimin e terminaleve VLT është e paligjshme, po atë ditë, më 6 qershor vitit 2023 si zëvendëskryeministër, ka udhëhequr seancën qeveritare në cilësinë e Asamblesë së Shoqërisë Aksionare edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se Asambleja Aksionare nuk ka të drejtë të vendosë për furnizimin.
Në seancë është miratuar informata dhe “Lotaria Shtetërore është obliguar që të ndërmerrte aktivitetet për të filluar organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe të furnizonte aparatet VLT.
Katër të dyshuarit e tjerë janë kryetari dhe anëtarët e komisionit për dy thirrje të veçanta publike. Ata dyshohen se duke shfrytëzuar autorizimet dhe detyrat zyrtare, kanë zbatuar thirrjen publike për kalimin e së drejtës për organizimin e lojërave të fatit online, edhe pse e kanë ditur se procedura e tillë në rastin konkret nuk guxon të zbatohet, pasi nuk kanë qenë të plotësuara kushtet ligjore./Alsat.mk.
The post Nesër fillon gjykimi kundër ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi appeared first on Alsat.
