Shqipëria ka siguruar mbrëmjen e së dielës medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, turne që po zhvillohet në Itali. Mundësi Ardit Zeneli i ka dhuruar Shqipërisë medaljen e bronztë në peshën 67kg të stilit greko-romak.
Në sfidën për medaljen e bronztë, ai triumfoi me përmbysje 9-8 ndaj grekut Stavros Ntounias, në një përballje mjaft të fortë. Një duel me dy pamje, që ishte më i mirë për grekun në periodën e parë, që udhëheq 8-1.
Por, në periodën e dytë vjen përmbysja e Zeneli, që realizoi 8 pikë radhazi dhe fitoi 9-8 dhe meritoi fitoren e medaljen mesdhetare. Një ditë më parë, në sfidat eliminatore, Zeneli fitoi 11-3 ndaj italianit Sandron, por u mund 6-3 në gjysmëfinale ndaj algjerianit Benfredj.
Në peshën 77kg të stilit greko-romak, mundësi Kevin Kupi u mund 10-2 nga egjiptiani Mostafa Hussein për medaljen e bronztë, duke mos u ngjitur dot në zonën e medaljeve. Më herët, Kevin Kupi u mund 5-0 nga turku Y. Basar, por u ripeshkua, duke fituar 4-3 ndaj algjerianit C.Doulache.
Në not, në garën e 50 metrave shpinë, notarja Luna Djarmati, nuk arriti dot të kualifikohet për në finale. Në garën e saj, në baterinë e dytë, notarja kuqezi dha kohën 31”69, duke u renditur në vendin e shtatë mes 8 garuesve, duke u eliminuar.
The post Lojërat Mesdhetare/ Shqipëria merr medaljen e parë, mundësi Ardit Zeneli medalje bronzi në peshën 67kg appeared first on Telesport.
