Jo vetëm Barcelona mund të mburret këto ditë me 7 gola të shënuar në një ndeshje. Edhe Bayern Munich shfaqi në maksimum arsenalin e tij ofensiv, duke mposhtur 7-0 Union Berlin në Bundesligë, për të ruajtur pathyeshmërinë dhe kreun e renditjes. Trajneri Vincent Kompany foli për “Sky Sports DE”: “Duam të tregojmë gjithmonë këtë energji, ia dolëm dhe jemi shumë të lumtur për këtë fitore”.
Michael Olise realizoi një tripletë dhe dha një asist, duke u shpallur edhe MVP i ndeshjes: “Sigurisht, Michael shënon, por ai punon jashtëzakonisht shumë edhe në stërvitje. Lojtarët e nivelit të lartë kanë nevojë për shumë më tepër sesa vetëm talentin”.
Edhe Jamal Musiala, talenti i akademisë së klubit, ishte protagonist, duke shënuar një gol dhe dhënë një asist, përpara se t’i bashkohej kombëtares gjermane pas kritikave për paraqitjet e tij: “Donim të bënim pikërisht këtë hap përpara pushimit të kombëtareve. Ai luajti 90 minuta dhe shënoi një gol, kështu që tani pikëpyetjet marrin fund. Ishte një paraqitje vërtet e fortë nga ana e tij”.
Nga fundjava e parafundit e shtatorit deri në të parën e tetorit zhvillohet “Oktoberfest” në Mynih. Për zgjedhjen e birrës, Helles apo Weissbier, Kompany nuk ka dyshime: “Një Helles është shumë mirë, por duhet kuptuar diçka: në Belgjikë, të flasësh për birrën është si të flasësh për fenë, njësoj si në Bavari.
Ndoshta kjo është arsyeja pse ndihem si në shtëpi këtu. Do të shkojmë në festë dhe është bukur, sepse është pjesë e traditës dhe kulturës. Thjesht dua të bëj diçka normale me miqtë dhe familjen. Kam një jetë të bukur, por punoj edhe jashtëzakonisht shumë dhe pak normalitet herë pas here më duhet për të marrë energji shtesë”.
The post Kompany nuk do ta humbasë “Oktoberfestin”: Ndihem si në shtëpi këtu, birra është si fe edhe në Belgjikë appeared first on Telesport.
