Takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Hristijan Mickoski e vlerëson si jashtëzakonisht miqësor, të dobishëm dhe përmbajtësor, duke theksuar se ai mund të jetë kyç për disa procese në të ardhmen. Megjithatë, siç tha, nuk është i kënaqur me mesazhet lidhur me ndryshimet kushtetuese.

Nuk mund të them se jam i kënaqur me mesazhet që përcolli presidentja. Ajo tha qartë se ndryshimi i Kushtetutës është ende në tryezë, një çështje që ishte pranuar nga qeveria e mëparshme, tha kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Po pavarësisht kësaj, Mickoski tha se mesazhet e Von der Leyen krijojnë një ndjenjë inkurajimi dhe motivimi për vazhdimin e reformave, veçanërisht përmes mundësisë së integrimit gradual në BE, ndërsa paralajmëroi se gjatë nëntorit do të zhvillojë dy vizita në Bruksel për takime me përfaqësues të BE-së dhe për samitin rajonal me Ballkanin Perëndimor.

“Kështu që do të luftojmë. Nuk ka dorëzim, do të luftojmë. Nuk është e lehtë; këta të mëparshmit kanë shitur shumë, kanë shkatërruar shumë, kanë vjedhur shumë, por ne nuk heqim dorë. Ajo që është vjedhur do të kthehet, ndërsa për atë që është shitur do të luftojmë që ta rikthejmë”, u shpreh Mickoski.

I pyetur nëse ka marrë përgjigje për takimin e paralajmëruar dypalësh me palën bullgare dhe çfarë priste nga takimi, si dhe çfarë do të ndodhte nëse pala bullgare e refuzonte, Mickoski tha se në një rast të tillë edhe një herë do të konfirmoheshin të gjitha teza që i kanë dhe për të cilat janë të shqetësuar, por shtoi se nuk e pret një skenar të tillë.

“Nuk e pres. Nuk do të ishte e mençur ta refuzonin, por në rregull, kjo është vendimmarrje e tyre sovrane, nuk është vendim i yni”, shtoi Mickoski.

Kryeministri tregoi po ashtu se ka marrë një këshillë konstruktive nga presidentja e KE-së, e cila i ka sugjeruar ministrit të Punëve të Jashtme Mucunski të kërkonte takim në margjinat e takimit kushtuar Korridorit 8. Për këtë kërkesa tashmë është dërguar nga ministri dhe se vendimi për hapat e mëtejshëm mbetet në dorë të Bullgarisë.

Përndryshe, Von der Leyen dje paralajmëroi rifillimin e përpjekjeve për zhbllokimin e integrimit evropian, ndërsa BE-ja po përgatit një plan veprimi për katër vendet më pranë anëtarësimit, në të cilin nuk përfshihet Maqedonia e Veriut.