Pavarësisht fitores 3-1 të Lazio-s ndaj Monza-s, në javën e gjashtë në Serie A, trajneri i bardhekaltërve, Gennaro Gattuso, është i pakënaqur me të tijtë, me paraqitjen e bërë në pjesën e dytë.
“Bravo djemve për paraqitjen në pjesën e parë, por pjesa e dytë ishte e njëjtë me atë kundër Milanit. Duhet të bëjmë gjërat që dimë të bëjmë, jo të përpiqemi thjesht të administrojmë lojën. Nuk ishim të shpejtë te topat e dytë; ishim inekzistentë në 25 minutat e para të pjesës së dytë. Qasja taktike ishte e gabuar.
Është çështje mentaliteti dhe qëndrimi. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, sepse përndryshe detyrohesh të vraposh më shumë nëse nuk arrin i pari te topi. Fillon të kesh vështirësi nëse nis të bësh pasime pa kuptim”, tha Gattuso.
“Duhet t’i marrim gjërat ditë pas dite. E dini po aq mirë sa unë se si është të luash në një stadium si ky. Nuk është e lehtë, por ne po ndjekim rrugën tonë dhe do të shohim se ku do të përfundojmë”, shtoi Gattuso.
Kujtojmë se Lazio mban vendin e dytë në renditje, me pikë të njëjta, nga 16, me Interin kryesues.
The post Lazio fiton dhe i bashkohet Interit në krye, Gattuso “shpërthen” ndaj të tijve: Njësoj si ndaj Milanit appeared first on Telesport.
