Ka nisur këtë fundjavë Kampionati Kombëtar i Basketbollit për femra, ku për të tretën herë brenda 10 ditëve janë përballur Flamurtari e Tirana. Vlonjatet kishin fituan dy përballjet e para, në Kupën e FSHB-së dhe në Superkupë, por këtë herë ishin bardheblutë ato që dolën fituese.
Në Vlorë, skuadra e Tiranës triumfoi 72-64, duke korrur një fitore të madhe jashtë fushe. Ndeshje e komanduar gjatë gjithë kohës nga bardheblutë, që patën një epërsi të lehtë ndaj Flamurtarit, që s’u dorëzua deri në fund. Maddox me 25 pikë e 12 rebound ishte më e mira në fushë.
Fitore të rëndësishme korri Vllaznia, që në fushën e saj mundi 78-55 Partizanin, që nuk është ekipi që shpresonin të gjithë. Kryeqytetaset, vetëm me lojtarë vendase, nuk e përballuan dot ritmin e diktuar nga shkodranet, që u shkëputën që në fillim e fituan falë 25 pikëve të Rreshpja.
Në Superligën shqiptare debutoi edhe Sopoti Eagles Basket, skuadra nga Librazhdi, që u mund 86-63 në fushën e tij nga Studenti. Një risi për basketbollin shqiptar hyrja e një ekipi nga Librazhdi, por që nuk pati mundësi të rivalizojë. Pëllumbi me 29 pikë e Spahiu me 23 pikë u dalluan për Studentin.
Superliga-Femra, java e parë
Vllaznia – Partizani, 78-55
Sopoti – Studenti, 63-86
Flamurtari – Tirana, 64-72
Renditja: Vllaznia 2 pikë, Studenti 2 pikë, Tirana 2 pikë, Flamurtari 1 pikë, Sopoti 1 pikë, Partizani 1 pikë.
The post “E treta e vërteta” për Tiranën, mund Flamurtarin në Vlorë, fitojnë edhe Studenti e Vllaznia appeared first on Telesport.
