BDI – Çair ka reaguar ndaj deklaratës së Muhamet Murtezit, kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit dhe një prej njerëzve më të afërt të Izet Mexhitit, i cili ka mohuar se ka qenë ndonjëherë kryetar i Forumit Rinor Islam (FRI).

Sipas BDI-së në Çair, deklarata e Murtezit bie ndesh me biografinë e tij të mëparshme, ku drejtimi i kësaj organizate ishte përmendur si pjesë e përvojës së tij politike dhe organizative.

BDI-Çair vlerëson se Murtezi po përpiqet të distancohet nga e kaluara e tij pikërisht në një moment kur FRI është përmendur në raportimet lidhur me vendimin e autoriteteve egjiptiane për organizatat terroriste.

Nga BDI-Çair shtrohet pyetja nëse biografia e paraqitur më herët nga vetë Murtezi ishte e pasaktë, apo nëse ai sot po mohon deklarimet e veta për të ruajtur pozicionin politik.

“Kur i duhej për biografi dhe karrierë politike, FRI-në e përmendte si pjesë të historisë së tij. Sot, kur kjo histori është bërë e papërshtatshme politikisht, thotë se nuk ka qenë kurrë pjesë e saj”, thuhet në reagimin e BDI-së në Çair.

BDI-Çair gjithashtu kërkon sqarime nga institucionet për informacionet dhe vlerësimet mbi të cilat është mbështetur vendimi i autoriteteve egjiptiane, si dhe nëse ka pasur shkëmbim informacioni me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë.

Në reagim, BDI-Çair thekson se çështja kryesore është mospërputhja mes asaj që Murtezi ka deklaruar më herët në biografinë e tij dhe asaj që deklaron sot.

Sipas BDI-së, duke mohuar të kaluarën e tij, Murtezi po distancohet edhe nga bashkëpunëtorët me të cilët ka ndarë një rrugëtim prej afro tri dekadash.

“Historia nuk fshihet me një deklaratë për media”, përfundon reagimi i BDI-së në Çair.

The post BDI-Çair: Murtezi mohon të kaluarën, për të shpëtuar karrierën politike i lë në baltë bashkëpunëtorët e 30 viteve! first appeared on .