A do të arrijë LSDM-ja që të reformojë dhe konsilidojë partinë dhe të kthejë rejtingun e tyre, pasi që në kongresin e djeshëm u zgjodh Bordi qendror i kësaj partie, ndërsa nënkryetare u emërua Fani Karanfillovska Panovska!? Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se është i zhgënjyer nga zgjidhjet kadrovike dhe vlerëson se nuk do të jenë opozitë konstruktive, ndërsa test do të jenë zgjedhjet lokale.

Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti i cili vjen nga radhët e VLEN i uroi sukses kryesisë së re duke u porositur që të kthehen drejt konceptit të tyre qytetar e jo qëndrimeve nacionaliste.

Ekspertët për kryesinë e re nuk mendojnë se do të jetë  reformë e konsiderueshme brenda LSDM-së. Analisti Ivo Rangjelloviq në Daily Click në TV21 tha se që të rifreskohet partia duhet të ketë persona të rinj e jo të njëjtët ata që e sollën partinë në këtë nivel.

Kryetari i partisë Venko Filipçe e përshkroi programin e partisë si udhërrëfyes për një shoqëri të drejtë dhe të zhvilluar, se arrogancën do ta lënë anash, tha ai, ndërsa çdokush që do të jetë pjesë e partisë duhet t’u shërbejë anëtarëve dhe qytetarëve.