Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, njoftoi se komuna po vazhdon investimet në infrastrukturën sportive, duke përmbushur një nga zotimet e dhëna para zgjedhjeve, përcjell tetova1
Sipas Memishit, janë përmirësuar dukshëm kushtet në zhveshtoren e stadiumit në Tearcë, e cila është lyer tërësisht, ndërsa janë zëvendësuar edhe dyert dhe dritaret, duke i dhënë fund pamjes së mëparshme me grafite në mure dhe inventar të dëmtuar.
Ai bëri të ditur gjithashtu se i gjithë stadiumi tashmë mbikëqyret nga kamerat e sigurisë, me qëllim mbrojtjen e pronës publike dhe parandalimin e dëmtimeve. “Ju bëjmë thirrje të gjithëve ta ruajmë pronën publike, sepse ajo është pasuri e përbashkët dhe duhet ta mbrojmë me përgjegjësi”, theksoi Memishi.
Në fund, kryetari i Komunës së Tearcës shprehu mirënjohje për donatorët dhe të gjithë qytetarët vullnetmirë që kontribuojnë në realizimin e projekteve në interes të qytetarëve./tetova1.mk


