Gazetare: Ajnur Bafqari

Komisioni Parlamentar për Financim dhe Buxhet vazhdoi të shqyrtoi amendamentet e paraqitura ndaj Propozim-rishikimit të Buxhetit. Përfundimi i punimeve të stadiumit në Tetovë ishte një nga temat që u diskutua, për shkak të kërkesës së opozitares BDI, që të ndahen mjete për këtë stadium.


“Me këtë amendament do të tentojmë të ndërhyjmë që Qeveria ose deputetët të pranojnë propozimin  tonë për të siguruar mjete financiare në vlerë prej 246 milion denarësh për mbështetje financiare për përfundimin e ndërtimit të stadiumit në Tetovë që konsiderojmë se është me interes shumë të rëndësishëm për gjithë qytetarët e Pollogut. ”- tha Blerim Bexheti i BDI-së.

Amendamenti nuk u pranua, me arsyetimin se mjetet janë siguruara nga programe të tjera.


“Pamë sa nuk është realizuar edhe në rrjetet e kanalizimit edhe në ato të ujësjellësit, në rrugë lokale dhe kështu me radhë, në disa dekada të kaluara. Ndryshuan shumë qeveri, shumë persona, por tani me këtë qeveri treguam edhe mjetet e ndara edhe me projektet e realizuara, treguam se kemi vullnet dhe dëshirë që ti tejkalojmë këto projekte. Janë shumë por nisëm dhe po ja arrijmë qëllimit për t’i realizuar. Një nga programet është zhvillimi rajonal i barabartë dhe e dyta është projektet infrastrukturore nëpër komuna, ku siç thash janë 4, 2 miliardë denarë, projekte që realizohen në të gjitha 80 komunat”- sqaroi zv ministri i financave, Nikollçe Jankullovski.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Veljanovski ironizoi ndaj kërkesës së BDI-së, duke theksuar se gjendja e keqe e këtij dhe terreneve të tjera sportive në Tetovë, është rezultat i keqqeverisjes së tyre në nivel lokal.


“ Dua ta përshëndes konstruktivitetin e BDI-së kur është në opozitë, dhe për kujdesin e tyre për Tetovën për sportin, për zhvillim të sportit në Tetovë. Por në përgjithësi për zhvillimin infrastrukturor, që për fat të keq ja për periudhë të gjatë kur praktikonin pushtetin dhe kur kishin mundësi, e veçanërisht në nivel lokal, ku kishin mundësi e ku përket amendamenti që tani e propozojnë për ndarjen e mjeteve. Vlerësoj se është vetëm një paraqitje e një gjëje për të cilën populli e din më. Ajo që u trashëgua nga keqqeverisja e ish kryetares së Tetovës nga radhët e BDI-së sot po sanohet, vetëm për 2 vite janë bërë më shumë se 29 projekte infrastrukturore në Tetovë”- tha Veljanovski.

Për rishikimin e propozuar janë dorëzuar gjithsej 224 amendamente. Prej tyre, 90 janë paraqitur nga BDI, 78 nga LSDM, 51 nga E Majta dhe 5 nga koalicioni VLEN. Në seancat e mëparshme, Komisioni tashmë ka shqyrtuar një pjesë të ndryshimeve të propozuara. Me rishikimin, të hyrat e përgjithshme buxhetore janë planifikuar në 379,2 miliardë denarë, që paraqet një rritje prej rreth 4,2 miliardë denarësh, ose 1,1 për qind, krahasuar me Buxhetin e miratuar fillimisht për vitin 2026./ Alsat.mk

 

The post Debat për stadiumin e Tetovës në Komisionin për Financim dhe Buxhet appeared first on Alsat.