Kreu i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave ka reaguar në lidhje me deklaratat e disa politikanëve të Kosovës dhe Shqipërisë për gjuhën shqipe. Ai kritikoi ashpër këto qëndrime, duke i cilësuar si manipulime dhe përpjekje për të krijuar narrativë politike të pavërtetë.

“Njëherë e mashtronin Hashim Thaçin e Edi Ramën se gjuha shqipe në Maqedoni të Veriut është zyrtarizuar. I bënë edhe ata të mburren se kanë merita, derisa e morën vesh se kishin qenë të lajthitur. Sepse gjuha shqipe në RMV nuk ishte zyrtarizuar dhe kishte mbetur gjuhë e pakicës (minoritetit).

Tash i mashtrojnë përsëri disa politikanë të tjerë në Tiranë e Prishtinë se “ajo gjuha që atëherë ata e kishin zyrtarizuar”, e që doli se nuk ishte zyrtarizuar, tash qenka e rrezikuar.

Dhe, për fat të keq, përsëri gjenden politikanë në Prishtinë e Tiranë që besojnë në ato trillime, ndërkohë që harrojnë se më të rrezikuar seç e kanë lënë ata shqipen si gjuhë të pakicës nuk ka si bëhet.

Natyrisht, për neve që jetojmë këtu e dimë se nënteksti i këtyre lotëve “për gjuhën” është pasioni për pushtet dhe frika nga drejtësia.

Koha e mashtruesve ka përfunduar”, ka shkruar kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi.