Masa komplekse për të nxitur zhvillimin

Kina do të zbatojë masa për t’i mbajtur të qëndrueshëm punësimin dhe ekonominë e saj dhe për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë, tha të hënën në një konferencë shtypi zëvendëskryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës Zhao Chenxin.

Ai shtjelloi masat e reja në pesë fusha kyçe: mbështetjen e punësimit, mbajtjen e tregtisë së jashtme të qëndrueshme, nxitjen e konsumit, zgjerimin e investimeve efektive dhe promovimin e një mjedisi të mirë për zhvillimin.

Lidhur me punësimin, qeveria do të nxitë bizneset të mbajnë nivele të qëndrueshme personeli, të intensifikojnë përgatitjen profesionale, të zgjerojnë programet e ndihmës për punësimin dhe të forcojnë shërbimet publike të punësimit, theksoi Zhao.

Në fushën e konsumit, do të shpallen masa për të rritur konsumin e shërbimeve, për të përmirësuar shërbimet e kujdesit për të moshuarit me aftësi të kufizuara, për të stimuluar shitjet e makinave dhe për të formuar sisteme të dhënies së pagave të bazuara te aftësitë, tha ai.

Po ashtu, përpjekjet për të zgjeruar investimet efektive do të përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës lidhur me konsumin, nxitjen e investimeve private dhe publikimin e instrumenteve të reja financiare të bazuara në politika.

Në lidhje me krijimin e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e qëndrueshëm, Kina do të vazhdojë t’i mbajë tregjet e kapitalit të qëndrueshme dhe aktive, të konsolidojë zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të pasurive të patundshme dhe të rritë mbështetjen financiare për ekonominë reale, vuri në dukje Zhao.