Po bëhet gjithnjë e më e qartë se Shkupi dhe Tirana do të ndajnë rrugët në udhëtimin drejt Bashkimit Europian. Më 19 korrik 2022, të dy vendet zhvilluan Konferencën e Parë Ndërqeveritare në Bruksel, ndërsa tani Komisioni Europian cakton takimin e dytë me autoritetet shqiptare për muajin tetor. Nga ana tjetër, Maqedonia do të presë një qeveri të qëndrueshme politike në Bullgari, me të cilën, siç thotë kryeministri Hristijan Mickoski, do të mund të diskutohet ideja e ndryshimeve kushtetuese me prapaveprim me të cilat që do të zhbllokohet procesi i integrimeve evropiane.

“Nuk do të komentoja as një hap më shumë e as një hap më pak. Tani është periudha kur absolutisht nuk mund të ndodh asgjë në atë proces”, tha kryeministri, Hristijan Mickoski.

Përderisa pritet pushtet i qëndrueshëm bullgar, me shumë gjasa shefi i diplomacisë Timço Mucunski këto ditë do të realizojë takim me ministrin teknik për punë të jashtme të Bullgarisë në Sofje, por nuk ka detaje se për çfarë do të bisedohet. Në ndërkohë kryeministri konfirmoi se është ndryshuar përbërja e komisionit maqedono-bullgar për çështje historike, që punojnë nën ombrellën e MPJ-së.

“Po, kemi ndryshim në Komisionin negociues për çështje historike nga ana jonë. Nuk mund të konfirmojë emrat për shkak se megjithatë ishte seancë e mbyllur. Kur informacioni do të deklasifikohet, opinioni do të njoftohet edhe me emrat e anëtarëve”, shtoi Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Jozyrtarisht, si bashkëkryetar nga pala maqedonase, Dragi Gjeorgiev do të zëvendësohet nga historiani Vanço Gjeorgiev. Ai ka qenë më parë pjesë e Komisionit, por ka dhënë dorëheqjen si anëtar i tij në fund të vitit 2021, për shkak të presionit politik nga një zyrtar i lartë në MPJ. Historianët nga të dyja vendet do të takohen më 18 tetor në Shkup.