Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu thotë që mjekët dhe personeli mjekësor janë shprehur të kënaqur me zgjidhjen e përkohshme për problemin me parkingun në Qendrën Klinike, respektivisht që të shfrytëzohen 300 vend parkime në objektin e “Limak”, me qëllim që të lirohen vend parkime në Qendrën Klinike, përcjell TV21. Ministri paralajmëroi hapa të tjerë në lidhje me këtë problematikë.

“Besoni se lajmërohen kolegët, mjekë, dhe thonë na shpëtuat sepse kemi vetura të shtrenjta dhe i shohim të gërvishtura, të dëmtuara jashtë, ndërsa për shkak se nuk ka kamera, nuk e dimë se kush, si dhe ku të lajmërohet. Vijojnë hapa të tjerë, në lidhje me parkingun. Deri sa nuk mbledhim të dhëna, nuk bëjmë analiza, nuk do të dalim në opinion me hapa të rinj, ju garantoj që do të jenë në përputhje me të ardhmen e Qendrës Klinike, por edhe në përputhje të më së mirës, dhe përmirësimit të infrastrukturës për pacientët në qendrën Klinike”, tha Aliu.

Aliu thotë se do të ketë takim me pjesë të sindikalistëve, të cilët shprehën pakënaqësitë e tyre në lidhje me zgjidhjen e përkohshme të problemit.

“Besoj që keni pasur mundësi t’i ndiqni edhe reagimet e Sindikatës në lidhje me parkingun. Po, një pjesë e Sindikatës, sepse pjesa tjetër e përshëndet këtë hap, unë do të kem takim me ta. Unë jam njeri që mund të bëjë edhe hap prapa. Nëse gabojmë në procese. Mua aspak nuk…do të turpërohem para jush, të them po, ky hap nuk ishte menduar mirë dhe kthehemi në situatën paraprake”, theksoi Aliu.