Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka marrë vendim për ndërprerjen e hetimit lidhur me furnizimet me mazut për nevojat e TEC Negotinë, në të cilin ishin përfshirë 13 persona, mes tyre edhe biznesmeni Ratko Kapushevski, pronar i kompanisë RKM, si dhe ndaj biznesmenit Asmir Jahoski, përcjell TV21.
Nga Prokuroria u bë e ditur se pas një hetimi njëvjeçar nuk është vërtetuar se të dyshuarit i kanë kryer veprat penale që u viheshin në barrë, dhe as nuk është konstatuar ekzistenca e ndonjë vepre tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Hetimi kishte të bënte me dyshime për keqpërdorime në procedurat e furnizimit me mazut për TEC Negotinë gjatë krizës energjetike, lidhje të paligjshme të kontratave dhe anekseve, si dhe pastrim parash.
“Sipas provave, procedurat për furnizimin me mazut janë zhvilluar në kushte të krizës energjetike të shpallur nga Qeveria e RMV-së dhe në përputhje me përjashtimet ligjore të parashikuara në nenin 23 të Ligjit për Prokurime Publike, me qëllim sigurimin e prodhimit të pandërprerë të energjisë elektrike”, thonë nga Prokuroria.
Gjatë hetimit janë analizuar dokumente financiare dhe kontraktuale, ekspertiza dhe dëshmi të dëshmitarëve, përfaqësues të ESM, TEC Negotinë dhe operatorëve ekonomikë që posedonin licenca për tregti me mazut.
Prokuroria thekson se procedurat janë zhvilluar në mënyrë transparente dhe se ESM ka kontaktuar të gjitha kompanitë me licencë për tregti me mazut.
“Sipas deklarimeve të përfaqësuesve të operatorëve ekonomikë, disa kompani nuk kanë marrë pjesë në procedura për shkak të vlerësimeve të tyre biznesore dhe ekonomike, përkatësisht për shkak të sasive të mëdha, garancive bankare të nevojshme dhe rreziqeve të lidhura me gjendjen e tregjeve energjetike në atë kohë”, thuhet më tej.
Sipas Prokurorisë, mazuti është dorëzuar në kohë dhe në asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje prodhimi i energjisë elektrike.
“Në periudhën kritike nuk ka pasur restrikcione në furnizimin me energji elektrike, ndërsa prodhimi në TEC Negotinë ka mundësuar sigurimin e energjisë me çmime dukshëm më të ulëta se ato të tregut të lirë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria gjithashtu pretendon se nuk është konstatuar dëm ndaj ESM-së apo buxhetit të shtetit.
“Sipas provave, ndryshimet në planin vjetor të prokurimeve publike dhe lidhja e anekseve janë realizuar me vendime të organeve kompetente të SHA ESM, të Bordit Drejtues dhe të konfirmuara nga Bordi Mbikëqyrës”, shtojnë nga Prokuroria.
Në pjesën për dyshimet për pastrim parash, është vlerësuar se fondet e paguara nuk përbëjnë përfitim pasuror të fituar në mënyrë të paligjshme.
“Transaksionet financiare, pagesat, blerja e pasurisë dhe transferimi i mjeteve ndërmjet llogarive nuk mund të konsiderohen si veprime të pastrimit të parave apo fshehjes së mjeteve të fituara në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftim.
Kundër vendimit për ndërprerjen e hetimit, pala e dëmtuar ka të drejtë ankese në Prokurorinë e Lartë Publike në Shkup brenda tetë ditëve.
Më herët, policia kishte arrestuar biznesmenin Ratko Kapushevski, ndërsa Prokuroria kishte hapur hetim ndaj 13 personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash. (IRL) në mars 2022 kishte publikuar se kompania RKM kishte shitur 188 mijë ton mazut për TEC Negotinë në vlerë prej 112 milionë eurosh gjatë krizës energjetike.
