Agjencia e Aviacionit Civil (AAC) ka konfirmuar se është duke vepruar sipas pretendimeve për një incident më 7 shtator, kur dy avionë shmangën përplasjen për pak në Shkup.
Sipas autoriteteve të aviacionit, çdo situatë e tillë duhet të hetohet tërësisht. Fillimisht kontrollin e trafikut ajror e kryen M-NAV, e cila ka për detyrë raportimin e situatës. Më pas, AAC vlerëson seriozitetin e incidentit dhe vendos nëse është incident i thjeshtë apo i rëndë. Në rast incidenti të rëndë, hetimi ndërmerret nga Komisioni për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Incidenteve të Rënda.
Navigacioni i Maqedonisë (M-NAV) aktualisht nuk komenton nëse është nisur një hetim apo çfarë masash janë marrë.
Sipas të dhënave nga faqja e gjurmimit të fluturimeve “Flytradar24”, aeroplanët e “Turkish Airlines” dhe “Sanexpress” më 7 shtator rreth orës 18:32 mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit për pak kanë shmangur një përplasje. Fluturimi i “Turkish Airlines” ishte nga Madridi për në Stamboll, ndërsa avioni i “Sunexpress” fluturonte për në Londër.
Flightradar24 thotë se 30 sekonda para se të ndaheshin, dy avionët ishin në të njëjtën lartësi prej 36,000 këmbësh. Njëri prej avionëve më pas u ngjit në 36,325 këmbë, ndërsa tjetri zbriti në 35,475 këmbë. Sipas rregullave, avionët duhet të mbajnë një ndarje minimale vertikale prej 2000 këmbësh.
Nuk është ende e qartë nëse kjo situatë është shkaktuar nga udhëzimet e kontrollit të trafikut ajror apo rezultat i gabimit të pilotit.