Qindra familje në fshatrat dhe lagjet periferike të Kumanovës vazhdojnë të jetojnë pa adresa të plota, pasi shumë rrugë ende nuk kanë emra zyrtarë. Situata ka krijuar probleme serioze për qytetarët, të cilët përballen çdo ditë me vështirësi në pranimin e faturave, dokumenteve, dërgesave postare dhe madje edhe në qasjen ndaj shërbimeve emergjente.
Problemi është veçanërisht i theksuar në fshatrat Rramanli, Llopat, Çerkez dhe Tabanocë, ku banorët thonë se mungesa e emrave të rrugëve po ua vështirëson jetën prej vitesh.
“Që nga thirrja e taksive, pranimi i porosive, faturave apo ardhja e ndihmës së shpejtë, krijohen ngatërresa të shumta. Kërkojmë një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme”, thotë banori Luan Aliu.
Edhe Edin Osmani shprehet i zhgënjyer nga neglizhenca e institucioneve lokale.
“Ne paguajmë taksa, por nuk marrim shërbime cilësore. Emërtimi i rrugëve është një nevojë shumëvjeçare dhe duhej të ishte zgjidhur shumë kohë më parë”, thekson ai.
Më shqetësues është fakti se Komuna e Kumanovës ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka as plan dhe as afat kohor për fillimin e procesit të emërtimit të rrugëve.
“Deri më tani nuk është kryer numërimi i rrugëve që nuk kanë emra zyrtarë. Komuna ende nuk ka hartuar plan apo afat për fillimin e procesit”, deklaruan shkurt nga komuna.
Kjo situatë ka nxitur kritika ndaj kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili ndodhet në mandatin e tij të tretë, ndërsa banorët thonë se problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur.
Përveç mungesës së adresave, banorët e Rramanlit prej më shumë se dy dekadash ankohen edhe për mungesën e masave të sigurisë në kalimin hekurudhor, ku kanë ndodhur aksidente të shumta, disa prej tyre me pasoja tragjike.
Ndërkohë, mungesa e adresave të standardizuara nuk është problem vetëm i Kumanovës. Fenomene të ngjashme raportohen edhe në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, ku qytetarët vazhdojnë të përballen me vështirësi në orientim dhe në qasjen ndaj shërbimeve publike.
