Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës, pas numërimit të rreth 20 për qind të votave me postë. Vetëm në këtë numërim ajo ka marrë më shumë se 69 për qind.

Është ulësja e tretë që i shtohet Vetëvendosjes nga numërimi i deritashëm i votave nga diaspora. Në votën preliminare, brenda vendvotimeve në Kosovë ajo siguroi 48 ulëse.

E përderisa në dy ulëset e kaluara ajo zvogëloi mandatet e Partisë Demokratike të Kosovës (23) dhe Lidhjes Demokratike (19), tani një ulëse e ka humbur Aleanca që ka rënë në 7 nga tetë sa kishte nga projektimi i mëhershëm.

Në rezultatet e përgjithshme, VV-ja ka 44.6 për qind. PDK-ja është e dyta me 20.5, LDK-ja e treta me 17.26 e AAK-ja pak nën 7 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora. Deri tash janë procesuar të dhënat e rreth 11 mijë votave.