Gazetare: Melihate Rustemi
Teleferiku i Shkupit, i cili u mbyll fillimisht më 25 prill për një kontroll rutinë dyditor, nuk do të hapet as gjatë muajve të verës. Shkak për këtë janë dëmtimet e rënda teknike të konstatuara nga kompania prodhuese austriake. Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, bëri të ditur se kontrollet teknike kanë zbuluar defekte serioze që rrezikojnë sigurinë e udhëtarëve. Sipas raportit teknik, janë vërejtur pjesë gome të konsumuara si dhe sensorë jashtë funksionit. Këto defekte krijojnë një rrezik potencial për shkëputjen e kabinave nga kablloja mbajtëse. Gjorgjevski tha se është vendosur që asnjë kabinë të mos lëvizë pa u kryer një servis i plotë gjeneral, proces ky që nuk është bërë që nga lëshimi i tij në përdorim 15 vite më parë.
“Pas inspektimit, është konstatuar se teleferiku është në gjendje katastrofale dhe ka shumë mangësi që duhen riparuar në periudhën e ardhshme. Tashmë kemi kërkuar ofertë për të parë se sa do t’i kushtojë qytetit dhe ndërmarrjes publike servisimi i plotë dhe kthimi i teleferikut në një gjendje ku unë, mbi të gjitha, do të jem i sigurt se çdo fëmijë dhe çdo qytetar i Shkupit do të jetë i mbrojtur gjatë përdorimit të tij.Ne nuk na duhet një ‘Koçan i ri’ ose, mos e dhentë Zoti, ndonjë tragjedi pas së cilës do të duhet të vetëdijësohemi e të veprojmë. Na duhen aksione menjëherë, ku në plan të parë do të jenë gjithmonë qytetarët.” – Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Deri në sigurimin e mjeteve dhe përfundimin e servisit gjeneral nga kompania austriake, mjeti i vetëm për të arritur në majën e Vodnos mbetet vija rrugore ose shtigjet e ecjes. /Alsat.mk
The post Teleferiku i Vodnos do të mbetet i mbyllur për një kohë të pacaktuar, duke anuluar planet e qytetarëve për sezonin e verës appeared first on Alsat.
